Prokuroria e Posaçme ka intensifikuar hetimet ndaj Ergys Agasit dhe Ermal Beqirit, dy biznesmenë të dyshuar si drejtues të një grupi të strukturuar kriminal, i cili sipas hetimeve paraprake dyshohet se ka manipuluar sistematikisht tenderat publikë të AKSHI-t.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se grupi akuzohet për përdorimin e presionit, kërcënimeve dhe akte dhune ekstreme, përfshirë rrëmbimin e biznesmenëve rivalë, me qëllim detyrimin e tyre për t’u tërhequr nga garat publike dhe për të siguruar fitimin e tenderave të paracaktuar.
SPAK ka nisur një verifikim të thelluar të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të Agasit dhe Beqirit, për të përcaktuar nëse ato janë krijuar përmes përfitimeve të paligjshme nga fondet publike. Hetimi është zgjeruar edhe ndaj familjarëve dhe personave të afërt me ta, për të zbuluar raste të mundshme të fshehjes apo transferimit të pasurive në emër të tretëve.
Në fokus të hetimeve kanë hyrë edhe kompani të sektorit të ndërtimit, mes tyre Fortis Beton, e lidhur me biznesmenin Orest Sota. Prokuroria dyshon se një pjesë e konsiderueshme e parave të përfituara nga aktiviteti i paligjshëm i Ergys Agasit është ricikluar në tregun e ndërtimit përmes këtyre subjekteve.
Hetimet paraprake kanë zbuluar transaksione bankare me vlera të mëdha, të cilat SPAK i konsideron të pajustifikuara dhe pa burim ligjor të qartë. Analiza e këtyre lëvizjeve financiare synon të dokumentojë skemën e qarkullimit të parave dhe elementët e dyshuar të pastrimit të parave, duke çuar hetimin drejt goditjes së plotë të rrjetit kriminal.
