Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose, ka sqaruar sot, 17 nëntor, në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes se ish-presidentit të vendit Ilir Meta nuk i është kufizuar asnjë e drejtë ligjore gjatë qëndrimit në paraburgim.
Sipas tij, Meta ka zhvilluar të gjitha takimet e autorizuara nga prokurori dhe nuk i është ndaluar komunikimi telefonik.
“Ka 3 600 komunikime telefonike”, ka deklaruar ai, duke theksuar se e vetmja situatë problematike ka qenë një telefonatë e transmetuar në një studio televizive.
“Për këtë rast, institucioni i ekzekutimeve penale në “313” ka shqyrtuar incidentin dhe ka vendosur një masë disiplinore, pasi rregullat e sigurisë nuk lejojnë që të paraburgosurit të dalin në media, të tregojnë publikisht historinë e tyre apo të bëjnë deklarata që mund të përdoren si forma presioni. Meta ka qenë ish-president, por është trajtuar me dinjitet të plotë, sipas ligjeve dhe Konventës Evropiane”, ka deklaruar Qose në komision, duke hedhur poshtë çdo pretendim të opozitës për trajtim të padrejtë ndaj tij.
