Policia e Tiranës ka goditur një tjetër rast të trafikimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike të forta. Në kuadër të një operacioni të zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me Sektorin kundër Trafiqeve të Paligjshme, u sekuestruan 2.2 kilogramë kokainë, ndërsa dy persona u arrestuan në flagrancë.
Operacioni policor u zhvillua në zonën e Institutit, pas hetimeve dhe vëzhgimeve disa ditore mbi aktivitetin e dy shtetasve, të cilët rezultuan të jenë kushërinj me njëri-tjetrin. Gjatë ndërhyrjes, të dy të dyshuarit kanë tentuar të largohen me shpejtësi, por janë kapur nga shërbimet e Policisë në afërsi të shinave të trenit, në zonën e Institutit.
Nga kontrolli i ushtruar, u gjet dhe u sekuestrua lënda narkotike e dyshuar si kokainë, me peshë rreth 2.2 kilogramë, e cila, sipas të dhënave paraprake, kishte ardhur nga Spanja dhe do të shpërndahej në zona të ndryshme të Tiranës, kryesisht në Fresk, në doza të vogla.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal.
Policia e Shtetit vijon punën për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal dhe për zbardhjen e plotë të rrjetit të furnizimit me lëndë narkotike.
