Elvis Shkambi, autori që ekzekutoi gjyqtarin Astrit Kalaja, ka shkruar një letër nga burgu, ku shprehet se ndjen keqardhje për dhimbjen e shkaktuar, por këmbëngul se vendimi i gjykatës ishte i padrejtë.
“Me vendimin paraardhës, i cili u la në fuqi në datë 6.10.2025, është synuar grabitja e titullit ekzekutiv, pra pavlefshmëria e tij, një gjë e cila nuk mund të lëshohet në asnjë situatë nga personi i tretë”, shkruan Shkambi.
Ai pretendon se vendimi i Apelit nuk ishte rezultat i “paditurisë”, por i ndikimeve të tjera.
“Nëse vendimi i gjykatës së shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm Shkodër ishte një produkt edhe i paditurisë, vendimi i datës 6.10.2025 për ta lënë në fuqi nuk ishte nga padituria, por i ndikuar nga faktorë të tjerë”, thekson ai.
Në letër, Shkambi përmend edhe historinë e xhaxhait të tij, Gjon Shkambi, që sipas tij ishte “kthyer në një eksperiment njerëzor nga sistemi gjyqësor”.
“Prej 13 vitesh, xhaxhai im, Gjon Shkambi ishte kthyer në një eksperiment njerëzor nga sistemi gjyqësor në Shqipëri. Në një kohë kur unë mundohesha t’i jepja fund këtij eksperimenti, Gjykata e Apelit vendosi vazhdimin e tij”, shkruan më tej Shkambi.
Ai pretendon se vendimi gjyqësor “bie ndesh me Kushtetutën, kodet dhe praktikat e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.
“Ai vendim bie haptazi ndesh me Kodin Civil, Kodin e Procedurës Civile, vendimet unifikuese të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”, përfundon letra e Shkambit.
