Ish-ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, është paraqitur pasditen e së enjtes në Prokurorinë e Posaçme (SPAK). Basha është thirrur nga prokurori i posaçëm Alfred Shehu, i cili po kryen hetimet për dosjen e 21 janarit.
Sipas të dhënave paraprake, Lulzim Basha është thirrur si person deklarues lidhur me hetimin që po kryhet nga SPAK për vrasjen e katër protestuesve, ngjarje e ndodhur më 21 janar 2011, kohë kur Basha ka qenë ministër i Brendshëm.
Basha është paraqitur i vetëm pranë SPAK, pa praninë e avokatit. Pas një ore e 20 minutash, ai nuk dha të dhëna lidhur me atë se për çfarë është pyetur.
Basha: Jam thirrur si person që ka dijeni për një çështje në hetim.
Gazetarët: Për 21 janarin?
Basha: Informacionin se për cilën çështje ju lus ta merrni te institucioni se duhet të respektoj sekretin hetimor.
Gazetarët: A ka pasur urdhër më 21 janar për të qëlluar?
Basha: Kjo ishte gjithçka që kisha për të deklaruar për këtë çështje, për të tjerat me siguri ju ka marrë malli për konferencë për shtyp por duhet të prisni dhe pak.
Vendimi i Gjykatës së Strasburgut, që e quajti qartë krim shtetëror, i hapi rrugë hetimeve të SPAK.
Organi i akuzës, në korrik 2024, regjistroi procedim penal për ngjarjen e 21 janarit të vitit 2011, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese, e kryer në bashkëpunim”, “Shpërdorim i detyrës, i kryer në bashkëpunim”, dhe “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës, e kryer në bashkëpunim.”
Procedimi erdhi pasi Gjykata e Lartë, një vit e gjysmë më parë, vendosi të prishte vendimet e mëparshme të gjykatave dhe urdhëroi fillimin e hetimeve pas kallëzimit të bërë nga familja Nika ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, ish-ministrit të Brendshëm Lulzim Basha dhe ish-komandantit të Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, për urdhërimin e të shtënave me armë ndaj pjesëmarrësve në protestë.
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, në vendimin e saj të nëntorit 2023, i kërkoi Shqipërisë që “të identifikojë dhe ndëshkojë përgjegjësit për vrasjen e të afërmit të kërkueseve gjatë protestës së vitit 2011 përpara Kryeministrisë.”
Më tej, në vendim thuhej se hetimet ishin penguar nga qeveria e kohës, specifikisht nga ish-kryeministri Sali Berisha, dhe kërkohej që hetimet e ngjarjes të përfshinin zinxhirin komandues të Gardës së Republikës dhe jo vetëm oficerët që hapën zjarr.
Si pasojë e të shtënave me armë zjarri nga ana e Gardës së Republikës më 21 janar 2011, përveç Aleks Nikës, u vranë edhe Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj, si dhe u plagosën dhjetëra protestues të tjerë.
Për vrasjen e Dedës, Myrtajt dhe Veizit, më 18 shtator 2013, Gjykata e Apelit në Tiranë dënoi ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi, me 1 vit heqje lirie dhe gardistin Agim Llupo me 3 vjet, duke arsyetuar se vrasjet ishin bërë nga pakujdesia.
Ndërkohë, vrasja e Aleks Nikës dhe plagosja me armë zjarri e disa personave të tjerë mbeten ende pa autorë, dhe prokuroria e pati pezulluar çështjen për vite me radhë në pritje të provav
