Sarandë – Në kuadër të hetimeve për tjetërsimin e pronave të ushtrisë në Sarandë, SPAK ka ushtruar ditën e sotme kontrolle në banesën dhe zyrën e biznesmenit Artan Dulaku dhe në zyrën e administratorit të Marina Bay Saranda, Genard Kastrati. Veprimet u kryen me kërkesë të prokurores Manjola Kajana dhe me vendim të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), me mbështetje të agjentëve të BKH-së dhe Policisë së Shtetit. Nga kontrollet sipas BKH janë gjetur dokumente që do ti shërbejnë hetimit.
Në kuadër të hetimeve, Porti i Limionit, një bazë e Forcave Detare dhe pronë e ushtrisë, është vënë nën sekuestro. Baza iu dha me qira në korrik 2020 bashkimit të shoqërive Concord Investment dhe Kastrati Group, përmes shoqërisë Marina Bay Saranda, për ndërtimin e komplekseve turistike dhe një porti jahtesh.
Kërkesa e kompanisë për heqjen e sekuestros u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese më 12 nëntor 2024. Hetimi ka nisur pas kallëzimit të ish-zëvendëskomandantit të Forcave Detare, Artur Meçollari, i cili kundërshtonte dhënien me qira të bazës për 20 vjet me tarifë simbolike 1 euro.
Baza detare e Sarandës mbetet e sekuestruar derisa të përfundojnë hetimet e SPAK-ut mbi procedurat e ndjekura për dhënien e pronës së ushtrisë.
