Një aksident me pasojë vdekjen e një minatori u shënua të mërkurën, rreth orës 11:30, në minierën e Bulqizës. Viktima është identifikuar si Kujtim Dangri, 38 vjeç, i cili humbi jetën gjatë punës në galeritë e minierës. Rrethanat e ngjarjes ende nuk janë bërë të qarta. Policia bëri me dije se grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po heton për të zbardhur shkaqet e aksidentit.
Minatori u transportua në spitalin e Bulqizës, por pa shenja jete. Ai kishte pësuar dëmtime të shumta dhe, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, nuk mund të shpëtohej.
Sipas të dhënave në Regjistrin e Lejeve Minerare, aksidenti ka ndodhur në galeritë e kompanisë “TRUE – L Shpk”, e cila është në pronësi të Roland Kacit dhe Lejdon Gjonit. Kaci mban gjithashtu edhe detyrën e administratorit të subjektit. Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, kompania nuk ishte e arritshme për një reagim mbi rrethanat e aksidentit.
Policia e Dibrës ka vënë në pranga dy punonjës, 47 dhe 62 vjeç, të subjektit teknik minerar “True L” në Bulqizë, ku humbi jetën minatori 38-vjeçar Kujtim Dangri. Në pranga ranë brigadieri dhe tekniku, ndërsa nën hetim është vënë edhe një 67-vjeçar me detyrë drejtues teknik në këtë subjekt.
