Close Menu
InfoNews.alInfoNews.al

    Subscribe to Updates

    Get the latest creative news from FooBar about art, design and business.

    What's Hot

    Energji në kurriz të komuniteteve; mbi 200 hidrocentrale private në 15 vjet

    24.12.2025

    Motorristi WOLT Albania shpërndan drogë, goditet grupi me 33 persona

    24.12.2025

    SKANDAL USHQIMOR! Bllokohen 5 TON fileto e djathë të kompanisë TONA

    24.12.2025
    Facebook Instagram
    InfoNews.alInfoNews.al
    • Kreu
    • Aktualitet
    • Investigim
    • Sport
    • Bota
    • Editorial
    Facebook Instagram
    InfoNews.alInfoNews.al
    Aktualitet

    Si u përhap në Myzeqe skema piramidale me kriptomonedha

    Nga InfoNews19.09.2025Pa Komente
    Ndaj Facebook Twitter Pinterest LinkedIn Tumblr Email WhatsApp Copy Link
    Ndaj
    Facebook Twitter LinkedIn Pinterest Email Copy Link

    La Bontà është një restorant me stil italian, i vendosur buzë bulevardit të palmave në Lushnjë, një pikë takimi për familjet që kalojnë të dielat bashkë dhe për të rinjtë që ndalen gjatë javës për një kafe ‘espresso’.

    Përveç picave dhe pjatave me makarona dhe salcë domateje, në fund të muajit gusht, restoranti filloi të reklamonte edhe investime në kriptovaluta, duke premtuar “përfitime të përjetshme” dhe “shumë shpërblime”. Sipas Policisë së Shtetit, pas reklamve fshihej një skeme tipike mashtruese piramidale.

    “Sa më shumë persona sillje dhe sa më e madhe të ishte shuma e investuar, aq më të larta të ardhurat e premtuara,” tha Polica e Shtetit.

    “Por në të vërtetë, këto nuk ishin investime reale, por një mekanizëm i mirëorganizuar për përvetësim fondesh përmes mashtrimit, ku vetëm nivelet e larta përfitonin, ndërsa shumica, sidomos pjesa fundore e piramidës, humbnin kursimet e tyre,” shtoi ajo.

    Kjo skemë dyshohet se ka filluar të aplikohet në Shqipëri në vjeshtën e kaluar përmes aplikacioneve Telegram dhe platformave të tregtimit të kriptomonedhave XUEX dhe Binance. Ajo ka marrë përmasa të gjera duke përfshirë qindra qytetarë, më së shumti në zonën e Divjakës e të Lushnjës.

    Sipas të dhënave hetimore, kjo skemë ka përfshirë dhe nëpunës publikë, të cilët kanë rekrutuar edhe familjarë e miq të tyre, duke i joshur të investonin kundrejt premtimeve për fitime të shpejta e të konsiderueshme.

    Por në muajt e fundit skema filloi të mos funksiononte, pasi investitorëve nuk po u ktheheshin paratë e tyre sipas premtimit, ç’ka çoi në ekspozimin e saj.

    Agjentë të infiltruar

    Emanuel Taullau, 21 vjeç, punonte si kamarier në “La Bonta” në Lushnjë deri më 14 shtator, kur u arrestua si një nga gjashtë të dyshuarit si të përfshirë në skemën piramidale me kriptomonedha.

    Ai tha para hetuesve se merrte 45 mijë lekë rrogë në muaj dhe se kishte investuar 100 mijë lekë në qershor 2025 në platformën XUEX, të cilën e kishte njohur nga shoqëria. Investimin e bëri përmes llogarisë në Bankën Tirana, duke kaluar paratë në platformën e kriptovalutave Binance e më pas në XUEX. Sipas tij, kishte përfituar virtualisht 120 mijë lekë, të cilat nuk i kishte tërhequr, por i kishte ruaj në kripto.

    Më 27 gusht, Policia e Fierit nisi hetimet me agjentë të infiltruar, pasi në vitrinën e restorantit ku punonte Taullau u gjetën postera që reklamonin XUEX me slogane si “Investim një herë, përfitime të përjetshme”. Agjentët u prezantuan si të interesuar dhe Taullau u shpjegoi se duhej një depozitë prej 1000 dollarësh dhe se informacionet shpërndaheshin në grupe Telegram. Ai shtoi se qendra e platformës ishte në Divjakë dhe kishte shumë pjesëmarrës.

    Në një takim të dytë, Taullau i prezantoi agjentët me kolegun e tij, Flavio Mukaj, 23 vjeç, i cili u arrestua gjithashtu. Dy kamarierët regjistruan një nga agjentët e infiltruar në platformën Binance dhe në grupet e Telegram, më pas Taullau bëri transferimin e 1000 dollarëve në XUEX, duke përdorur edhe 100 dollarë nga llogaria e Mukajt. Agjenti i dorëzoi atij 100 mijë lekë në cash, ndërsa e gjithë procedura u dokumentua me audio dhe video.

    Kur u pyet si person nën hetim, Taullau tha se ishin vetë agjentët e infiltruar që i kërkuan shpjegime për reklamën dhe ai u ndihmoi pasi ishte i regjistruar në platformë. Ai këmbënguli se nuk ishte i punësuar në ndonjë kompani të tillë, por vetëm shfrytëzoi njohuritë e tij teknologjike për t’i regjistruar. Po ashtu, i riu theksoi se nuk kishte përfituar asgjë për këtë shërbim dhe nuk kishte regjistruar persona të tjerë më parë. Për shumën e investuar, deklaroi se nuk dinte çfarë fati kishte pasur.

    Megjithatë, ai u arrestua në flagrancë, së bashku me Mukajn dhe pronarin e lokalit, Arbër Çela. Këtij të fundit iu sekuestrua një Audi Q7 që sipas policisë dyshohet se ishte blerë me të ardhura nga veprimtaria e paligjshme online me kriptomonedha.

    Kush është Leo Smith?

    Hetimet e policisë në Divjakë zbuluan përfshirjen e dhjetëra personave në këtë skemë piramidale me kriptomonedha, të organizuar përmes aplikacionit Telegram dhe platformës XUEX.

    Një prej të dyshuarave si agjent i skemës është 35-vjeçari Ereledio Shebeku, i shpallur në kërkim, i cili ka krijuar një grup me pesë persona në Telegram, ku secili ka investuar shuma që varionin nga 1 mijë deri në 5 mijë dollarë.

    Shebeku komunikonte rregullisht me një person të identifikuar si Leo Smith. Përveç investimeve, pjesëmarrësve u kërkohej të bënin “like” faqeve të dërguara në Telegram në orare të caktuara çdo ditë, kundrejt një premtimi përfitimi prej 1% të investimit.

    Leo Smith prezantohet si një person që bën komunikime me përdorues të platformës XUEX përmes Telegram-it, si “mentori” ose njeriu që jep “sinjale tregtare” dhe motivime për investime. Ai thuhet të jetë britanik, sipas deklaratave nga persona që janë përfshirë në skemë. Smith përdor një gjuhë relativisht formale, shpesh me mesazhe që duken automatikë ose “robotike”.

    Disa ekspertë besojnë se mund të jetë edhe një identitet fiktiv, ose një lloj programi kompjuterik, që vepron përmes mesazheve të automatizuara.

    Në dëshmitë e mbledhura shfaqen edhe elementë të frikës dhe presionit.

    Marius Kodra, 28 vjeç nga Tirana, ka treguar se pasi rekrutoi të tjerë persona, filloi të kërcënohej për kthimin e parave të tyre. Në bisedat e siguruara nga policia, “Leo Smith” i është përgjigjur pa dhënë garanci: “Nuk janë paratë që humbasin, është vetëm vonesë në pagesë… e vetmja gjë që mund të bëjmë është të presim”.

    Sipas policisë, vetëm në territorin e Bashkisë Divjakë janë regjistruar rreth 580 persona, të cilët kanë investuar shuma të konsiderueshme, ndërsa fitimet e premtuara duhej të tërhiqeshin çdo 45 ditë përmes llogarive bankare dhe platformës Binance.

    Nga hetimi rezulton se Shebeku ka përfshirë edhe familjarët e tij, ndërsa një tjetër e dyshuar, Brunilda Ndini, punonjëse e Bashkisë Divjakë, ka futur në platformë kolegë dhe banorë të zonës.

    Edhe pronari i restorantit “La Bonta” në Lushnjë, Arbër Çela, ka pranuar se kishte investuar 2,300 dollarë në prill, duke tërhequr deri në 9 mijë dollarë në Prizren, Kosovë.

    Ai e ka cilësuar veten të mashtruar dhe ka mohuar të ketë rekrutuar persona të tjerë.

    BIRN bisedoi me dy zyra këmbimi valutor në Prizren të Kosovës, të cilat ofrojnë edhe shërbime për shkëmbimin e kriptomonedhave.

    Një prej agjentëve tha se nuk kishte dijeni për raste të tilla, ndërsa një tjetër, në kushte anonimiteti, pohoi se gjatë muajve korrik dhe gusht ka pasur një fluks shtetasish shqiptarë që kanë konvertuar vlerat e tyre nga platforma “Binance” në euro dhe i kanë tërhequr në cash.

    Sipas tij, çdo javë kanë mbërritur nga pesë deri në dhjetë persona, ndërsa shumat e tërhequra kanë lëvizur nga 3 mijë deri në 5 mijë euro secili. Ai shtoi se deri më tani nuk ka pasur asnjë interesim nga autoritetet ligjzbatuese, as në Kosovë e as në Shqipëri, për këto transaksione.

    Hetuesit thonë se skema funksiononte si një zinxhir rekrutimi, ku individët që hynin të parët sillnin të tjerë, duke rritur vazhdimisht rrjetin dhe fitimet e premtuara. Përmes kësaj metode, sipas policisë, është ngritur një skemë e mirëfilltë mashtruese, që ka përfshirë një numër të madh banorësh të Divjakës dhe zonave përreth.

    kriptomonedha La Bontà Myzeqe
    Ndaj. Facebook Twitter Pinterest LinkedIn Tumblr Email WhatsApp Copy Link

    Të Ngjashme

    Aktualitet

    Energji në kurriz të komuniteteve; mbi 200 hidrocentrale private në 15 vjet

    24.12.2025
    Aktualitet

    Motorristi WOLT Albania shpërndan drogë, goditet grupi me 33 persona

    24.12.2025
    Aktualitet

    SKANDAL USHQIMOR! Bllokohen 5 TON fileto e djathë të kompanisë TONA

    24.12.2025
    Aktualitet

    Skandali trondit ONE Albania! Ja drejtorët që shesin drogë

    24.12.2025
    Aktualitet

    EKSKLUZIVE/ One Albania çerdhe droge, arrestohen dy drejtorët shpërndarës

    24.12.2025
    Aktualitet

    Oltion Çaçi i Sarandës ndan 2 mln euro për miqtë! Dy tendera për të njëjtën rrugë

    24.12.2025
    Shto një koment
    Komentet Cancel Reply

    Të Fundit

    Energji në kurriz të komuniteteve; mbi 200 hidrocentrale private në 15 vjet

    24.12.2025

    Motorristi WOLT Albania shpërndan drogë, goditet grupi me 33 persona

    24.12.2025

    SKANDAL USHQIMOR! Bllokohen 5 TON fileto e djathë të kompanisë TONA

    24.12.2025

    Skandali trondit ONE Albania! Ja drejtorët që shesin drogë

    24.12.2025

    EKSKLUZIVE/ One Albania çerdhe droge, arrestohen dy drejtorët shpërndarës

    24.12.2025
    Më të lexuarat

    36 mln €, rrjeti i Darjo Jasharit dhe karremi i SPAK për Gys Agasin

    Nga InfoNews21.12.20250

    Ishte data 28 Maj, 2025, kur SPAK zbuloi se një fabrikë cigaresh në periferi të…

    Nga firma e Dario Jasharit me cigaret tek tenderi 7.6 mln € në AKSHI, si ra në rrjetën e SPAK Gys Agasi

    18.12.2025

    Ikën italianë, francezë dhe grekë, por vijnë turqit! Por kush është banka Ziraat, skandale në Gjermani dhe SHBA

    23.12.2025

    EKSKLUZIVE/ One Albania çerdhe droge, arrestohen dy drejtorët shpërndarës

    24.12.2025

    Skandali trondit ONE Albania! Ja drejtorët që shesin drogë

    24.12.2025
    Na ndiqni
    • Facebook
    • Instagram

    InfoNews.al është një portal informativ i pavarur dhe bashkëkohor, i dedikuar për të sjellë lajmet më të rëndësishme dhe të verifikuara për publikun shqiptar dhe më gjerë.

    Me një strukturë të qartë dhe përmbajtje të përditësuar në kohë reale, InfoNews.al ofron lexuesve një pasqyrë të plotë të ngjarjeve më të fundit, analizave të thelluara dhe zhvillimeve globale.

    Whatsapp: +355 69 792 4329
    Email:
     redaksia@infonews.al

    Facebook Instagram
    © 2025 InfoNews. Zhvilluar nga E/Digital Studio

    Shkruaj më sipër dhe shtyp Enter për të kërkuar. Shtyp Esc për të anulluar kërkimin.