Ishte data 28 Maj, 2025, kur SPAK zbuloi se një fabrikë cigaresh në periferi të Librazhdit ishte përdorur prej vitesh si maskim për një grup të strukturuar kriminal në fushën e kontrabandës me vendet e Ballkanit dhe Bashkimit Evropian, me një dëm të dokumentuar prej më shumë se 36 milionë eurosh ndaj buxhetit të shtetit. Kjo u zbulua nga një hetim 2-vjeçar i Prokurorisë së Posaçme, dosje kjo e udhëhequr nga Prokurori Bledar Maksuti.
Albania Tabak dhe arrestimi i pronarëve
Në qendër të skemës së kontrabandës është, sipas SPAK, kompania “Albanian Tabak Fabrika e Cigareve” dhe pronarët e saj të mëparshëm, Ilir Jashari dhe Darjo Jashari, të cilët u arrestuan nga SPAK. Prej shkurtit të këtij viti, kompania e prodhimit të cigareve, Albania Tabak u ble nga kompania “EA TOBACCO’’ në pronësinë e Ergys Agasit – tashmë i shpallur në kërkim, dhe një personazh kontrovers i akuzuar nga ish-zv.kryeministri në arrati, Arben Ahmetaj si ‘’koordinatori mes kryeministrit Edi Rama dhe grupeve kriminale’’.
Çështja u hap nga SPAK në vitin 2023.
Historia e pronësisë së kompanisë
Kjo kompani ka qenë në pronësi të familjes Jashari nga dhjetori i vitit 2010, kur është blerë nga Ilir Jashari për 3 milionë euro, para se të kalonte në pronësi të gruas dhe djalit të tij, Darjo Jashari, ky i fundit lidhje familjare e një tjetër biznesmeni të fuqishëm në Shqipëri, Shefqet Kastrati.
SPAK godet rrjetin jetëgjatë të kontrabandës së cigareve me bekimin e Doganave
Sekuestrime milionëshe nga SPAK
Për këtë operacion pak muaj më parë, SPAK tha se përveç 9 pasurive në emër të shoqërisë “Albania Tabak”, u sekuestruan edhe 7 apartamente dhe 2 vila në zonat rezidenciale luksoze në Mullet me një vlerë të llogaritur mbi 9 milionë euro.
Deklarimet e Ergys Agasit
I pyetur nga BIRN, Agasi tha se e kishte blerë fabrikën pas disa vitesh negociata për të prodhuar markat e veta të cigareve, që aktualisht i prodhon në Bullgari. Ai shtoi gjithashtu se ofertat e tij ishin refuzuar deri në fillim të këtij viti, kur pronarët e fabrikës e kishin kontaktuar vetë dhe e kishin pyetur nëse kishte ende interes për ta blerë.
Agasi shpjegoi gjithashtu se ndryshe nga pronarët e mëparshëm, ai nuk ishte i interesuar për eksport.
“Unë kam brandet e mi shqiptare dhe më intereson vetëm prodhimi. Kam blerë vetëm licensën dhe makineritë dhe nuk kam blerë mall, e për rrjedhojë nuk kam punë me veprimtarinë e tyre,” deklaronte Ergys Agasi, duke shtuar se ishte i hapur ndaj SPAK.
Thirrja në SPAK dhe lidhja me skandalin e AKSHI-t
Nuk voni shumë dhe në korrik të këtij viti Ergys Agasi u thirr në SPAK, lidhur me hetimin që po kryehej për kompaninë e Darjo Jasharit. Paraqitja e tij erdhi disa ditë pas kontrolleve të zhvilluara me urdhër të SPAK në banesën dhe ambientet e bizneseve në pronësi të tij.
Agasi u la i lirë, por në fakt, SPAK, pas sekuestrimit të disa dokumenteve, ra në gjurmët e një tjetër skandali. Atë të AKSHI-t.
Skandali në AKSHI dhe akuzat penale
Prokuroria e Posaçme njoftoi më 19 dhjetor, për goditjen e një grupi të dyshuar kriminal në krye të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI, duke vendosur 8 persona nën akuzë për një seri veprash penale, mes të cilëve edhe drejtoreshën e kësaj Agjencie, Mirlinda Karçanaj.
Sipas hetimit, Ergys Agasi, një personazh kontrovers dhe biznesmeni Ermal Beqiraj krijuan një grup të strukturuar kriminal për manipulimin e tenderave të AKSHI-it, duke përdorur dhunë dhe pengmarrje. Ndërsa Agasi dhe Beqiraj i shpëtuan arrestimit, janë nën masën arrest shtëpie si pjesë e këtij grupi kriminal dy krerët e kësaj agjencie, drejtoresha Mirlinda Karçanaj dhe zv.drejtoresha Hava Delibashi.
