Shkodër – Një ngjarje e rëndë kriminale është regjistruar këtë të dielë në fshatin Paçram të Shkodrës, ku është gjetur i vrarë me armë zjarri 65-vjeçari Frrok Lleshaj, ish-efektiv i Policisë së Shtetit. Trupi i pajetë i tij është gjetur pranë rrugës rurale, ndërsa dyshohet se është qëlluar me armë në rrethana ende të paqarta.
Sipas informacioneve paraprake, Frrok Lleshaj ka qenë i dënuar për një vrasje të ndodhur rreth 20 vite më parë, kur ai ekzekutoi me armë zjarri kushëririn e tij, Dode Lleshaj. Për këtë krim, 65-vjeçari ka vuajtur një dënim me burg prej 18 vitesh, duke u liruar vetëm dy vite më parë.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se pista kryesore e hetimeve lidhet me hakmarrjen, pasi familjet përkatëse dyshohet se nuk e kishin zgjidhur konfliktin mes tyre. Policia ndodhet në vendngjarje dhe ka ngritur pika kontrolli në zonë për identifikimin e autorëve.
Ndërkohë, hetuesit po mbledhin dëshmi dhe pamje nga kamerat e sigurisë, si dhe po punojnë për të sqaruar nëse kemi të bëjmë me një atentat të mirëorganizuar si pjesë e zinxhirit të gjakmarrjes.
