Punonjësve të policisë u është hequr e drejta për të aplikuar në Akademinë e Sigurisë për gradën e nënkomisarit.
Këtë vit shkolla është hapur vetëm për maturantët dhe jo për stafin aktual të policisë, një situatë që konsiderohet si një padrejtësi ndaj atyre që duan të avancojnë në karrierë.
Për të ndjekur shkollën në Akademinë e Sigurisë, punonjësit aktualë të policisë duhet të japin dorëheqjen nga puna dhe të konkurrojnë si maturantë të rinj, pasi kuotat e vendosura janë vetëm për këta të fundit.
Kjo është hera e parë që nga krijimi i Policisë së Shtetit që policëve u mohohet e drejta për t’u graduar, pavarësisht plotësimit të të gjitha kushteve të nevojshme. Edhe vitin e shkuar ku nga 150 kuota të lira për në radhët e policisë, 100 ishin për maturantët dhe 50 për policët që janë aktualisht në punë.
Por këtë vit, vendet për policët janë zero duke krijuar një hendek të madh dhe duke shtuar shqetësimin për të ardhmen profesionale të forcave të rendit në vend.
Punonjësit kërkojnë ndërhyrjen urgjente të institucioneve përgjegjëse për të rregulluar këtë situatë dhe për të garantuar të drejtën e tyre për avancim në karrierë pa patur nevojën e dorëheqjes.
