Rriti tarifat, gazetari shpërthen ndaj One Albania: Të hetohet si grup kriminal
Gazetari Fatjon Gjinaj ka reaguar publikisht në rrjetet sociale lidhur me rritjen e fundit të tarifave nga kompania e telekomunikacionit One Albania, duke ngritur shqetësime për cilësinë dhe shpejtësinë e shërbimit të internetit.
Në një postim të tij, Gjinaj shprehet se kompania jo vetëm që ka rritur tarifat, por sipas tij ka ulur ndjeshëm edhe cilësinë e shërbimit. Ai përdor një gjuhë të ashpër, duke deklaruar se “One Albania duhet të hetohet për grup të strukturuar kriminal”, ndërsa shton se përdoruesit po përballen me internet më të dobët pavarësisht çmimeve më të larta.
Megjithatë, gazetari thekson se ky është një perceptim personal dhe u bën thirrje qytetarëve të shprehen nëse ndajnë të njëjtin mendim. Në të kundërt, ai shprehet i gatshëm të tërheqë akuzën dhe të kërkojë ndjesë publike për atë që e quan “antireklamë”.
“Mirë që na rriti tarifat, por uli cilësinë dhe shpejtësinë e internetit në maksimum. Nëse këtë mendim nuk e kanë shumica e përdoruesve, tërheq akuzën dhe kërkoj ndjesë publike për ‘antireklamën’,” shkruan Gjinaj, duke kërkuar nga ndjekësit të komentojnë nëse ky status duhet t’u shfaqet edhe në telefonat e tyre.
Postimi vjen në një kohë kur rritja e tarifave të operatorëve të telekomunikacionit ka shkaktuar reagime dhe diskutime mes përdoruesve në rrjetet sociale.
Në komentet e para, shumë qytetarë kanë nisur të ndajnë përvojat e tyre me shërbimin e internetit, duke e kthyer debatin në një diskutim më të gjerë mbi cilësinë e shërbimeve të telekomunikacionit në vend.

