Punonjësit e Posta Shqiptare vjedhin 220 mln lekë nga pensionistët
Dy punonjëse të Postës Shqiptare në Devoll janë proceduar penalisht, pasi dyshohet se kanë vjedhur rreth 22 milionë lekë të rinj nga fondet e postës.
Bëhet fjalë për Paola Shahollin, 29 vjeçe, përgjegjëse e zyrës postare Vishocicë, dhe Eda Çelikun, 27 vjeçe, arkëtare-llogaritare në degën postare Devoll, të dyja banore të Bilishtit. Sipas njoftimit të policisë, ato dyshohet se në bashkëpunim kanë përvetësuar paratë gjatë periudhës shtator 2025 – janar 2026.
Përgjegjësja dyshohet se ka përvetësuar dhe shpërdoruar fondet e pensioneve dhe të ndihmës ekonomike, kryesisht të pensionistëve që jetonin jashtë vendit, duke falsifikuar nënshkrimet e tyre. Ndërsa arkëtarja dyshohet se ka manipuluar, hequr dhe falsifikuar mandatpagesat në evidencat e librave të arkës dhe në sistemin e menaxhimit të parave cash, në mënyrë që të favorizonte përvetësimin e fondeve nga 29-vjeçarja.
“Nga hetimet dyshohet se këto shtetase, duke shpërdoruar detyrat, kanë përvetësuar rreth 22 milionë lekë të rinj nga fondet e postës. Shtetasja P. Sh. dyshohet se ka përvetësuar dhe shpërdoruar fondet e pensioneve dhe të ndihmës ekonomike, kryesisht të pensionistëve që jetonin jashtë shtetit, duke falsifikuar nënshkrimet e tyre. Ndërsa shtetasja E. Ç. dyshohet se ka manipuluar, hequr dhe falsifikuar mandatpagesat nga evidenca e librave të arkës dhe sistemi i menaxhimit të parave cash, për të favorizuar vjedhjen e fondeve nga 29-vjeçarja”, njofton policia.
Hetimet për rastin vijojnë, ndërsa organet ligjzbatuese po punojnë për rikuperimin e shumës së përvetësuar.
