Hetimi i bujshëm për tenderat e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit ka zbuluar skandalin më të madh të abuzimit me fondet publike në vend.
Një grup kriminal në krye të AKSHI-t përvetësonin paratë publike nëpërmjet skemave të paracaktimit të fituesve, fryrjes artificiale të kostos e deri në pengmarrje të rivalëve.
Bëhet fjalë për dosjen më të bujshme deri më tani, që kërkonte guxim dhe integritet profesional për ta çuar para. Deri dje, aq që mund të mendohej se mund të prekej grupi që kontrollonte AKSHI-n për shkak të pushtetit politik, financiar dhe kriminal, por kjo nuk e ndalin prokurorin special Bledar Maksuti dhe BKH-në për të çuar hetimin përpara duke marrë përsipër barrën për të çmontuar një grup të dyshuar të strukturuar kriminal që, sipas SPAK, ka manipuluar tendera publikë me vlerë dhjetëra milionë euro.
Maksuti thelloi hetimet në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit pas çështjes së kontrabandës së cigareve, ku u arrestuar Darjo Jashari dhëndri i biznesmenit Shefqet Kastrati, duke çuar në një operacion të gjerë në Tiranë dhe në ekzekutimin e masave të sigurisë të firmosura nga Gjykata e Posaçme. Në aksionin për goditjen e bandën e cigareve 36 persona janë nën hetim për kontrabandën e cigareve, mes të cilëve 29 janë punonjës të strukturave doganore.
Si rezultat, shqiptarët panë me sytë e tyre se si drejtues të institucioneve super të rendësishme shtetërore raportonin dhe merrnin urdhra se kush do të ishte fituesi i tenderave në zyra private.
Në qendër të dosjes janë Ergys Agasi dhe biznesmeni Ermal Beqiri, të cilët akuzohen për një sërë veprash të rënda penale, përfshirë konkurrencën e paligjshme përmes dhunës, shkeljen e barazisë në tendera, heqjen e paligjshme të lirisë, pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal dhe pastrimin e produkteve të veprës penale. Për të dy është vendosur masa e arrestit me burg, por ajo nuk është ekzekutuar pasi ata nuk janë arrestuar gjatë operacionit.
Sipas SPAK, skema kriminale konsistonte në ushtrimin e presionit dhe dhunës ndaj përfaqësuesve të kompanive pjesëmarrëse në tendera, duke i detyruar ata të tërhiqnin ankesat administrative. Kjo praktikë, sipas organit të akuzës, u hapte rrugë kompanive të paracaktuara për t’u shpallur fituese në procedurat e prokurimit publik.
Hetimi ka përfshirë edhe zyrtarë të tjerë. Drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, dhe zëvendësdrejtoresha Hava Delibashi janë vënë në masën e arrestit në shtëpi, ndërsa një zyrtar i Policisë së Shtetit, Erion Ismaili, zëvendësdrejtor për Hetimin e Krimit në Policinë e Tiranës, është pezulluar nga detyra dhe i është ndaluar dalja jashtë vendit. Po ashtu, disa biznesmenë të tjerë akuzohen për përfshirje në skemë përmes faturimeve fiktive ose pjesëmarrjes formale në tendera.
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit konsiderohet një institucion strategjik, pasi administron sistemet kryesore të qeverisjes digjitale dhe platformën e-Albania. Sipas SPAK, përdorimi i këtij institucioni për përfitime kriminale përbën jo vetëm abuzim financiar, por edhe rrezik serioz për sigurinë e të dhënave dhe interesin publik.
