Porto Romano në SPAK! Bie tenderi 400 milionë euro
Procedura e tenderit për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano është anuluar, pasi kompania greke Archirodon Group, e cila ishte e vetmja në garë, nuk paraqiti ofertën financiare brenda afatit të datës 9 mars.
Ky zhvillim e lë në një moment të paqartë një nga projektet më të mëdha infrastrukturore të planifikuara nga qeveria shqiptare, me një vlerë prej 400 milionë eurosh me TVSH, i cili parashikohej të financohej nga Buxheti i Shtetit.
Procedura e tenderit ndodhet ndërkohë edhe nën hetim nga SPAK, pas një kallëzimi të bërë nga një prej kompanive që u skualifikua nga gara. Hetimi pritet të verifikojë mënyrën se si është zhvilluar procesi dhe nëse ka pasur shkelje në procedurat e prokurimit.
Anulimi i tenderit vjen vetëm pak ditë pasi kreu i American Chamber of Commerce in Albania, Grant Van Cleeve, i dërgoi një letër publike kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar shtyrjen e procedurës dhe rishikimin e projektit.
Në letrën e tij, Van Cleeve argumentonte se projekti i paraqitur për portin e ri mund të ulë konkurrueshmërinë e Shqipërisë në rajon dhe kërkonte një proces më të hapur dhe të rishikuar për një investim që, sipas tij, është një vendim që merret “një herë në 100 vjet” për ekonominë e vendit.
Tashmë, me dështimin e procedurës së parë dhe me hetimin e SPAK në zhvillim, projekti i Portit të Ri të Durrësit në Porto Romano mbetet në një fazë të re pasigurie, ndërsa qeveria pritet të vendosë nëse do të rishpallë tenderin apo do të riformulojë të gjithë projektin.
