Janë publikuar pamjet e rrëmbimit të 23-vjeçarit Renis Dobra nga Zenishti i Burrelit. Kamerat e sigurisë kanë filmuar momentet kur makina e autorëve e ndjek nga pas automjetin e të riut dhe më pas kthehen në vendngjarje me dy makina – njëra prej të cilave dyshohet se është ajo e vetë viktimës.
View this post on Instagram
Ngjarja ndodhi më 8 korrik, rreth orës 22:00. Renis Dobra ishte duke u kthyer me makinën e tij në shtëpi pas një pasditeje në qendër të Burrelit. Në rrugën që lidh Burrelin me fshatin Zanisht, një fuoristradë i ka prerë rrugën dhe nga ajo kanë dalë disa persona. Ata e kanë marrë me forcë Renisin në makinën e tyre, ndërsa njëri nga autorët është larguar me automjetin e tij.
Një dëshmitar okular ka parë gjithçka dhe fillimisht ka menduar se bëhej fjalë për një arrestim policor, pasi makina që u përdor ngjante me ato të Policisë së Shtetit. Ai ka njoftuar babain e Renisit, por në komisariat është konfirmuar se nuk kishte asnjë arrestim të tillë – duke ngritur dyshimet për rrëmbim.
Sipas hetimeve, makinat janë parë për herë të fundit pranë urës së Ulzës, ku besohet se Renisi ka humbur ndjenjat nga dhuna brenda automjetit. Autorët dyshohet se kanë sajuar një aksident për të fshehur krimin, duke e hedhur trupin në liqenin e Shkopetit dhe më pas janë larguar në drejtim të Rrugës së Kombit.
Një ditë pas ngjarjes, policia ka shoqëruar katër persona që kishin pasur konflikte të mëparshme me viktimën. Ata janë marrë në pyetje, por më pas janë liruar për mungesë provash, duke mohuar përfshirjen në ngjarje.
Pista kryesore ku janë përqendruar hetimet është ajo e prishjes së pazareve të drogës apo borxheve, pasi Renisi ishte deportuar pak muaj më parë nga Gjermania, ku ishte arrestuar si i përfshirë në shpërndarje narkotikësh.
Renis Dobra ishte fëmija i vetëm i një familjeje të njohur në fshatin Zenisht. Babai i tij punon si drejtues furgoni në linjën Burrel-Zenisht dhe ka ngritur alarmin për humbjen e të birit.
Policia vazhdon hetimet për të zbardhur plotësisht motivin dhe autorët e kësaj ngjarjeje të rëndë që ka tronditur komunitetin.
