Close Menu
InfoNews.alInfoNews.al

    Subscribe to Updates

    Get the latest creative news from FooBar about art, design and business.

    What's Hot

    Bastiset qelia e Alket Rizait dhe shqiptarëve të tjerë në burgun e Domokos, gjenden celularë dhe thika

    25.02.2026

    ARRSH shmang përgjegjësitë! Pacientët e bllokuar të zonës juglindore rrezikojnë shëndetin

    25.02.2026

    Si i shpëtoi sekuestros kazinoja e Pëllumb Gjokës, investitorit strategjik

    25.02.2026
    Facebook Instagram
    InfoNews.alInfoNews.al
    • Kreu
    • Aktualitet
    • Investigim
    • Sport
    • Bota
    • Editorial
    Facebook Instagram
    InfoNews.alInfoNews.al
    Aktualitet

    Pacientët e spitalit të Burrelit “presin” shërim mes kushteve të vështira

    Nga InfoNews15.02.2026Updated:15.02.2026Pa Komente
    Ndaj Facebook Twitter Pinterest LinkedIn Tumblr Email WhatsApp Copy Link
    Ndaj
    Facebook Twitter LinkedIn Pinterest Email Copy Link

    Pacientët e spitalit të Burrelit “presin” shërim mes kushteve të vështira

    Aishja*, një ndër pacientet e pakta që gjejmë në spitalin e Burrelit, është e shtruar prej 5 ditësh në një dhomë të pushtuar nga lagështira dhe myku.

    “Këtu sëmuresh më keq nga kushtet. Mjekët bëjnë aq sa munden, por është për të ardhur keq që është lënë në këtë gjendje”, – na thotë e afërmja që e shoqëron, duke treguar kushtet e dhomës së spitalit. Ironikisht, në murin e zhveshur nga lagështira, janë afishuara disa këshilla si të mbrohemi nga infeksionet, por vetë spitali nuk ofron kushtet të denja për pacientët.

    “A mund të jetë kështu një spital, në vitin 2025?”, pyet ajo, pa pritur një përgjigje.

    Dhoma në të cilën ndodhet e shtruar Aishja, është ndër të paktat që ka mbetur hapur në këtë spital, i cili u shërben rreth 30 mijë banorëve të bashkisë Mat dhe Klos, por edhe një pjesë të pacientëve që vijnë nga Bulqiza.

    I përbërë nga një kompleks prej katër godinash, spitali “Xhavit Mara” në qytetin e Burrelit është amortizuar krejtësisht pasi është lënë prej dekadash pa investime. Aktualisht, vetëm godina e urgjencës është rikonstruktuar në vitin 2017, ndërsa godina e pediatrisë është mbyllur prej vitesh.

    Si pasojë e mungesës së investimeve pacientët në këtë spital po përballen me vështirësi. Godina kryesore e spitalit, në të cilin shtrohen pacientët që kanë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale është krejt e amortizuar, ndërsa kati i tretë i kësaj godine është mbyllur, për shkak të lagështirës, që vjen nga sistemi hidraulik i godinës.

    Para tre vitesh, ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ndërhyri në sistemin kapotë të kësaj godine në kuadër të eficencës energjitike në bashkëpunim me Bashkinë Mat, ndërhyrje që kushtoi 600 mln lekë.

    Reduktimi i dhomave të shtrimit ka bërë që pacientët e të gjithë patologjive “të strehohen” në godinën e maternitetit, edhe ajo e amortizuar.

    Eduart Brahilika, me profesion avokat, shkon shpesh në spital, për shkak të klientëve të tij, kryesisht në raste të aksidenteve. Ai e konsideron të papranueshme, situatën në të cilën u ofrohet kujdes shëndetësor pacientëve.

    “Kisha një aksident dhe vajta me OPGj-në për të bërë procedurat dhe sinqerisht as në Kamboxhia si gjen kushte të tilla. Të vjen keq se ka qenë një ndër spitalet model”, thotë Brahilika, i cili kandidoi në zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit për kryetar bashkia të Matit, nën logon e Partisë Demokratike.

    Gjendja e Spitalit të Burrelit/Citizens.al

    Pavarësisht situatës së vështirë, në një përgjigje me shkrim spitali i Matit thotë se “amortizimi i pjesshëm i godinës nuk ka kufizuar shërbimin ndaj pacienteve”.

    Por Erion Dasho, ekspert i shëndetit publik, që punon prej vitesh në Gjermani mendon të kundërtën. Sipas tij, infrastruktura e degraduar krijon probleme në ofrimin e kujdesit shëndetësor.

    “Nëse pacienti trajtohet në kushte të vështira infrastrukture, apo si në këtë rast që ka lagështirë, rritet mundësia që të sëmurët të ekspozohen ndaj infeksioneve apo faktorëve të tjerë sëmundjeshkaktues”, shpjegon Dasho.

    “Infrastruktura e degraduar nuk i lejon mjekët dhe infermierët të ushtrojnë profesionin siç duhet, ndërsa tek pacientët krijon pasoja të tjera shtesë si dhe mos besim tek sistemi shëndetësor”, shton më tej ai.

    Rehabilitimi i spitalit bashkiak të Matit është përfshirë në projektbuxhetin e vitit 2026. Ai pritet të kushtojë 4.1 milionë euro, një investim që parashikon ndërhyrje në strukturën e brendshme, sistemet elektrike, hidrosanitare, ventilimin, ashensor, ngrohjen dhe përmirësimin e hotelerisë spitalore. Megjithatë investimi pritet të zgjasin tre vite dhe në vitin e parë pritet të lëvrohen 820 mln lekë.

    “Vizioni ynë ,është transformimi në një institucion modern që ofron shërbime cilësore, të sigurta dhe të aksesueshme për të gjithë banorët e zonës”, thuhet në përgjigjen e drejtorisë së spitalit të Matit.

    Të gjithë pacientët “shtrohen” tek materniteti

    E parashikuar si një zgjidhje emergjente, në fakt shtrimi i pacientëve me të gjitha patologjitë e tjera në godinën e maternitetit, po zgjat prej më shumë se 3 vite. Godina e vogël dykatëshe, edhe ajo e amortizuar, në gjysmën e saj strehon shërbimin e gjinekologjisë, ndërsa në gjysmën tjetër janë të sëmurët, përfshirë edhe pediatrinë.

    Ambientet e kufizuara kanë bërë që shpesh pacientët të mos kenë mundësi të trajtohen në kushte dinjitoze.

    “Problem janë tualetet, sepse janë në një vend burra e gra. Është e sikletshme, kur nuk je në spital dhe jo më aty që je sëmurë dhe nuk e ke trupin në rregull”, na thotë njëra nga pacientet e shtruara.

    Në mungesë të kushteve dhe vështirësive infrastruktuore, pacientët që janë nga qyteti i Burrelit apo fshatrat përreth kanë gjetur një tjetër zgjidhje.

    “Unë i shtruar jam, por nuk rri këtu. Rri nja dy orë paradite, mi bën doktoresha të gjitha ilaçet apo analizat, iki në shtëpi, pastaj vij nga pasditja kur kam prapë orarin e ilaçeve dhe në darkë shkoj e fle në shtëpi. Nuk rrihet këtu, nuk ka fare kushte”, na thotë një tjetër pacient që e takojmë në korridorin e spitalit.

    Erion Dasho e sheh vendosjen në godinë të të gjithë pacientëve, si një zgjidhje emergjente, por jo afatgjatë.

    “Janë disa ndarje të detyrueshme, të sëmurët rëndë, apo ato që kanë gjasa të zhvillojnë infeksione duhet të mbahen në kushte strikte të veçimit, që duhen respektuar në planifikimin e shërbimeve”, shpjegon Dasho.

    Pavarësisht ankesave të pacientëve, drejtoria e spitalit shpjegon se ndarja e tyre është bërë në bazë të specialiteteve mjekësore për të siguruar trajtimin e nevojshëm.

    “Godina e maternitetit është godine funksionale, e mirëmbajtur dhe me kushte të sigurta për pacientët”, thonë ato përgjigjen me shkrim.

    Qamil Dika, pedagog pranë fakultetit të Mjekësisë, thotë se “pacientëve duhet tu garantohet e njëjta cilësi e shërbimit shëndetësor në çdo institucion publik”.

    “Në këtë drejtim duhet patjetër që vetë institucionet të jenë më dinamike të adresimin e problematikave të infrastrukturës, ndërsa Ministria e Shëndetësisë të krijojë bazën ligjore e cila mundëson një ndjekje më të shpejtë dhe decentralizim të zgjidhjes së këtyre problematikave”, shpjegon ai.

    Gjendja e Spitalit të Burrelit/Citizens.al

    Në vitin 2024, në vendin tonë numëroheshin 65 spitale, nga të cilët 41 janë spitale publike dhe 24 spitale private. Sipas INSTAT, në institucionet publike të shërbimit spitalor u shtruan 299.318 pacientë, që kishin në dispozicion 8.911 shtretër. Nga ky numër në Spitalet Universitare janë shtruar 178,864 pacientë, në Spitalet Rajonale janë shtruar 117,888 pacientë dhe në spitalet Bashkiake janë shtruar 27,248 pacientë.

    Shfrytëzimi i shtratit spitalor, i cili konsiderohet një indikator tepër i rëndësishëm i efiçiencës spitalore tregon se përgjatë vitit 2024 ato u shfrytëzuan vetëm gjysmën e vitit. Mesatarisht një shtrat u shfrytëzua 176,7 ditë, ose 48,4 % të ditëve kalendarike të vitit 2024., nga rreth 75% që është mesatarja e vendeve të BE-së. Spitalet Universitare kishin një mesatare më të lartë të shfrytëzimit të shtratit me 81.68 %, ndërsa në spitalet rajonale mesatarja e shfrytëzimit të shtratit ishte 35.87 %, por Fondi I kujdesit të sigurimeve shëndetësore nuk raporton të dhëna se sa është ky koeficient në spitalet bashkiake.

    Spitalet pa mjekë specialistë

    Bajrami është një pacient që i është nënshtruar dy herë koronarografisë dhe vizita tek kardiologu duhet të ishte një rutinë, por në spitalin e Burrelit kardiologu ka munguar herë pas herë me periudha shumë të gjata. Për shkak të braktisjes masive dhe rënies së numrit të popullsisë, në këtë qytetet nuk ka as klinika private që e ofrojnë këtë shërbim, përveç një klinike private në qytetin e Klosit ku kardiologu vjen një herë në javë.

    “Ose shkoj në Klos, ose iki direkt në Tiranë. Në spitalin e Burrelit, ka munguar për një kohë të gjatë mjeku i zemrës, edhe tani njëherë në javë vjen. Ç’të bëj unë zemra më kap ditën që nuk është mjeku?”, na thotë ai.

    Vetë spitali pranon se kanë munguar për një periudhë një vjeçare gjinekologu dhe kardiologu, dy specialist shumë të rëndësishëm.

    “Në periudhën e mungesës së përkohshme të dy specialistëve (për arsye leje lindjeje), spitali ka bashkëpunuar me Spitalin Rajonal të Dibrës nëpërmjet patronazhimit me mjek kardiolog, ndërsa rastet që janë paraqitur pranë shërbimi Obstetrike Gjinekologji janë transferuar me personel infermieror dhe autoambulance ne Tiranë”, sqarojnë përfaqësuesit e Spitali të Matit.

    Spitali ofron shërbim të nivelit bashkiak, në pneumologji, kardiologji, nefrologji, endokrinologji, dermatologji, urgjencë, obstetrikë gjinekologji, kirurgji, pediatri, anestezi reanimacion, laboratori klinik biokimik, radiologji dhe poliklinikë, por prej vitesh ky spital po përballet me mungesa mjekësh specialist.

    Por Eduart  Brahilika thotë se nuk bëhet fjalë për mungesa provizore por prej vitesh, “çdo urgjencë e paraqitur në këtë spital niset drejt Tiranës se s’ka mjek specialistë, nuk ka aparatura që bëjnë ekzaminimin”. 

    “Mjeku i kokës mungon, mjeku i zemrës mungon, reanimatori mungon. Në këtë spital kanë qenë realizuar ndërhyrje kirurgjikale në hundë, njësoj si në QSUT, sot mjekohen vetëm plagët e lehta. Shumica e mjekëve i kanë kaluar 70 vjeç dhe kanë dalë në pension, por mbahen ende në punë me kontrata provizore dhe një pjesë e rëndësishme e shërbimeve mbulohen vetëm një herë në javë”, shpjegon ai.

    Aktualisht spitali ka reduktim të ndërhyrjeve kirurgjikale pasi mjeku reanimator është me leje lindjeje, duke realizuar mesatarisht 10-12 ndërhyrje kirurgjikale në muaj, nga 30 që kanë qenë realizuar më parë.

    Pavarësisht këtyre vështirësive drejtuesit e spitalit optimistë dhe thonë se shërbimet e përcaktuara për t’u ofruar nga spitali janë të mbuluara me mjekë të specializuar.

    “Në kuadër të politikave të MSHMS, Spitali Mat është mbuluar herë pas here me mjekë me bonus, me mjekë me patronazhim apo sipas hapësirave ligjore janë kontraktuar mjekë me të ardhura dytësore, për të plotësuar nevojat sipas sëmundshmërisë dhe fluksit të pacientëve”.

    Për Erion Dashon problemi qëndron tek braktisja e sistemit shëndetësor edhe nga vetë mjekët, ndaj sugjeron një “bilanc dhe balancë mes ofrimit dhe nevojave të popullatës”,

    “Ikja e mjekëve dhe depopullimi i zonave janë dy faktorë të lidhur me njërit tjetrit ku përkeqësimi i njërës nxit përkeqësimin e tjetrës. Ndaj ne sot kemi spitale pa mjekë dhe qytete pa njerëz. Nëse duam të kemi që ato të kenë qasje në shërbime shëndetësore është e domosdoshme masterplani dhe identifikimi plotësimi i nevojave të popullatës”.

    Për ekspertët zgjidhja nuk është e vështirë. Ajo duhet të arrihet nëpërmjet politikave të veçanta mbështetëse për mjekët, në mënyrë që ato të mos largohen.

    “Sa kohë spitalet tona nuk do të jenë tërheqës për mjekët me aftësi profesionale, përmes pagesave të dedikuara dhe kontratave individuale, problemi i mjekëve specialistë në rrethe të vogla si Burreli, Puka, Devolli, Delvina, Gramshi etj. do të jetë një problem, i cili do të jetë gjithmonë e më i pranishëm”, përfundon Qamil Dika.

     

    Pacientët e spitalit të Burrelit “presin” shërim mes kushteve të vështira
    Ndaj. Facebook Twitter Pinterest LinkedIn Tumblr Email WhatsApp Copy Link

    Të Ngjashme

    Aktualitet

    Bastiset qelia e Alket Rizait dhe shqiptarëve të tjerë në burgun e Domokos, gjenden celularë dhe thika

    25.02.2026
    Aktualitet

    ARRSH shmang përgjegjësitë! Pacientët e bllokuar të zonës juglindore rrezikojnë shëndetin

    25.02.2026
    Aktualitet

    Shembet dhe pista 190 milionë euro e Formulës 1 në Elbasan

    25.02.2026
    Aktualitet

    Rrezik! Ambasada e SHBA në Tiranë: Ja lokalet ku shtetasit amerikanë nuk duhet të shkojnë!

    25.02.2026
    Aktualitet

    5 leje për të gërryer Shkumbinin/ Si u shkatërrua lumi me bekimin e qeverisë

    25.02.2026
    Aktualitet

    Lidhjet me Ergys Agasin, Orest Sota shet me urgjencë Fortis Beton pas lëvizjeve të SPAK

    24.02.2026
    Shto një koment
    Komentet Cancel Reply

    Të Fundit

    Bastiset qelia e Alket Rizait dhe shqiptarëve të tjerë në burgun e Domokos, gjenden celularë dhe thika

    25.02.2026

    ARRSH shmang përgjegjësitë! Pacientët e bllokuar të zonës juglindore rrezikojnë shëndetin

    25.02.2026

    Si i shpëtoi sekuestros kazinoja e Pëllumb Gjokës, investitorit strategjik

    25.02.2026

    Shembet dhe pista 190 milionë euro e Formulës 1 në Elbasan

    25.02.2026

    Rrezik! Ambasada e SHBA në Tiranë: Ja lokalet ku shtetasit amerikanë nuk duhet të shkojnë!

    25.02.2026
    Më të lexuarat

    Lidhjet me Ergys Agasin, Orest Sota shet me urgjencë Fortis Beton pas lëvizjeve të SPAK

    Nga InfoNews24.02.20260

    Lidhjet me Ergys Agasin, Orest Sota shet me urgjencë Fortis Beton pas lëvizjeve të SPAK…

    VIDEO/ ANK e Kolajve dhe 2T e Sakove masakruan lumin? Del blof drejtori i ARRSH Ami Kozeli: Ja pasojat e gërryerjes…u shemb edhe hekurudha

    22.02.2026

    Testi për Prokurorinë e Elbasanit! Hetimi për shembjen e rrugës, dy kompanitë dhe provat në terren!

    22.02.2026

    Dy makina i kaluan sipër 7 vjeçarit! Arrestohen shoferët e aksidentit te Kthesa e Kamzës

    24.02.2026

    2 mln euro transferta…Policia: Agency Hope tek Arena punonte në të zezë, në pranga Gelmona Tarja

    22.02.2026
    Na ndiqni
    • Facebook
    • Instagram

    InfoNews.al është një portal informativ i pavarur dhe bashkëkohor, i dedikuar për të sjellë lajmet më të rëndësishme dhe të verifikuara për publikun shqiptar dhe më gjerë.

    Me një strukturë të qartë dhe përmbajtje të përditësuar në kohë reale, InfoNews.al ofron lexuesve një pasqyrë të plotë të ngjarjeve më të fundit, analizave të thelluara dhe zhvillimeve globale.

    Whatsapp: +355 69 792 4329
    Email:
     redaksia@infonews.al

    Facebook Instagram
    © 2026 InfoNews. Zhvilluar nga E/Digital Studio

    Shkruaj më sipër dhe shtyp Enter për të kërkuar. Shtyp Esc për të anulluar kërkimin.