Dy kompani kanë përdorur mbetjet e rrezikshme të “Kurum” në ndërtime rrugësh dhe objekte të tjera
Gazetari Xhevahir Zhabina tha për MCN se hetimi i Prokurorisë së Durrësit nxjerr në pah se mbetjet e rrezikshme të prodhuara nga kompania “Kurum” kanë kaluar në dy kompani të tjera, të cilat i kanë përdorur në ndërtimin e rrugëve dhe objekteve të ndryshme. Sipas hetimit të Prokurorisë së Durrësit, këto kompani kanë vepruar pa leje mjedisore.
Zhabina thekson se hetimi zyrtar ka dhënë përgjigje vetëm për rreth 2800 ton mbetje, ndërsa ka indicie se skema e trafikimit ka funksionuar prej vitesh dhe në sasi shumë më të mëdha. Ai nënvizon gjithashtu se i gjithë zinxhiri institucional i monitorimit ka dështuar dhe se përgjegjësia penale duhet të shkojë përtej zyrtarëve të nivelit të ulët, deri te institucionet dhe zyrtarët e lartë përgjegjës për mbikëqyrjen mjedisore.
Intervista e plotë:
-Z. Zhabina pamë që gjykata dje lehtësoi masat për disa nga të akuzuarit mes tyre edhe drejtoreshën dhe ish drejtoreshën e AKSH-it, do të shfryhet edhe kjo dosje si shumë të tjera?
Akuzat janë korrekte nga prokuroria e Durrësit, kështu që nëse ndryshon masa e sigurisë për një grua që është shtatzënë e dimë që kjo mund të ndodh. Prokuroria e Durrësit ka shkuar deri aty ku ka kompetencat e veta. Nuk mund të themi që është duke u shfryrë, por një lloj shfryrje por njerëzit kryesorë nuk janë të arrestuar për këtë aferë. Përfaqësuesit e kompanisë Kurum dhe Sokolaj që janë njerëz përgjegjës duhet të kishin dalë para drejtësisë.
-A kemi të bëjmë me një rast të izoluar apo me një skemë të organizuar të trafikut të mbetjeve të rrezikshme qe vazhdon prej vitesh, çfarë nxori ne pah ky hetim i prokurorisë së Durrësit?
Prokuroria e Durrësit ka dhënë përgjigje vetëm për trafikimin e 2800 tonëve, ndërsa për dosjen hetimore të prokurorisë së Durrësit ka të dhëna që kjo ka funksionuar prej vitesh dhe bëhet fjalë edhe për më shumë. Në të është një dëshmi që thotë se Kurumi ka prodhuar deri në 40 mijë tonë dhe pyetja që bëhet tani është se ku është pjesa tjetër. Këtë fakt e nxori në dritë prokuroria e Durrësit dhe një tjetër fakt është se mbetjet e Kurum kanë kaluar në dy kompani që i kanë përdorur në ndërtimin e rrugëve dhe objekte të tjerave dhe këto kanë vepruar pa leje mjedisore dhe është e pamundur të verifikohet se ku kanë shkuar këto mbetje. Është hetim kompleks që do kohën e tij, por s’mund të zgjasë në pafundësi.
-Si është e mundur që 2800 ton mbetje të klasifikuara si të rrezikshme të kalojnë filtrat shtetërorë pa u ndalur? Kush ka dështuar konkretisht?
I gjithë zinxhiri që duhet të merret me monitorimin e këtyre mbetjeve ka dështuar. Këtë e ka konfirmuar dhe shkruajtja e këtyre procedurave dhe ne kuptojmë që çfarë lloj institucionesh kemi ngritur dhe shohim që hetimi ngeli në nivele të ulëta.
-Çfarë përgjegjësie penale mbajnë institucionet publike dhe zyrtarët që kanë firmosur dokumentacionin?
Akuzat janë të ndryshme për gjithsecilin. Kur ky trafikim bëhet nga një kontinent në tjetrin, kemi të bëjmë me një sipërmarrje të trafikimit të mbetjeve të rrezikshme, duhet të jesh shumë i strukturuar.
-Pse u desh alarmi nga jashtë (Italia/organizata ndërkombëtare) që Shqipëria të reagojë? Çfarë tregon kjo për kontrollin tonë?
Media në Shqipëri ka shkruar për atë që ndodh me Kurumin, por institucionet në Shqipëri nuk i kanë marrë parasysh denoncimet që vijnë nga mediat shqiptare. Bloomberg ishte ajo që bëri që institucionet të ngriheshin për ta hetuar.
-A do të shkojë kjo dosje te përgjegjësit realë apo rrezikon të mbyllet vetëm me disa zyrtare te nivelit te ulet dhe te mesëm?
Në këndvështrimin tim duhet të shkojë deri te zyrtarë të lartë të ministrisë së Mjedisit. Për të shkuar te këta zyrtarë, prokuroria e Durrësit duhet të identifikojë nëse kemi të përfshirë zyrtarë të lartë dhe nëse po duhet të heqë dorë nga kjo çështje dhe tja jap SPAK.
