Noizy përfundon në Gjykatën e Posaçme
Noizy (Rigels Rajku) është thirrur nga Gjykata e Posaçme për t’u bërë pjesë e procesit gjyqësor ndaj Laert Haxhiu, në cilësinë e viktimës së veprës penale.
Urdhri për shpallje publike mban datën 23 shkurt. Përveç Noizyt, në proces mund të përfshihen edhe familjarë të tij, përfshirë babanë dhe motrën. Sipas procedurës, pasi çështja ndaj Laert Haxhiut ka kaluar për gjykim, viktimat e pretenduara kanë të drejtë të marrin pjesë në proces, të përfaqësohen me avokat ose të zgjedhin të mos jenë të pranishëm. Gjykata ka detyrimin t’i njoftojë ata për zhvillimin e gjyqit dhe mundësinë për të dhënë deklarime.
Sipas verifikimeve të dosjes, Noizy ka qenë shënjestër e një sulmi me lëndë plasëse në ambientet e lokalit dhe dyqanit të tij në Durrës. Hetimet e SPAK, si dhe dëshmia e të penduarit të drejtësisë Artan Tafani, pretendojnë se vendosja e lëndës plasëse është kryer me urdhër të Laert Haxhiut, si reagim ndaj një dhune të ushtruar më herët ndaj Kleviol Ahmeti, i njohur ndryshe si “Serbiano”.
Sipas dëshmisë së Tafanit, pas publikimit të një videoje në rrjetin social TikTok, ku shfaqej momenti i dhunës ndaj Ahmetit, Laert Haxhiu është kontaktuar nga familjarë të tij, të cilët janë shprehur të shqetësuar për ngjarjen. Gjithmonë sipas këtij rrëfimi, kjo situatë ka ndikuar që ai të urdhëronte kryerjen e sulmit ndaj biznesit të Noizyt.
Çështja tashmë pritet të shqyrtohet në seancat gjyqësore në vijim.
