Elidon Çela Drejtor i Përgjithshëm i Policisë? Çfarë parashikohet…
Pas largimit të Ilir Proda nga drejtimi i Policia e Shtetit, pritet të nisë procedura për përzgjedhjen e drejtuesit të ri të institucionit më të lartë të rendit në vend.
Burime për InfoNews bëjnë me dije se gara për Drejtorin e Përgjithshëm do të rihapet, në një proces të ngjashëm me atë që u ndoq për zgjedhjen e Prodës. Kandidatët do t’i nënshtrohen një sistemi pikëzimi dhe vlerësimi, deri në fazën e skualifikimeve, ndërsa tre emrat me rezultatet më të larta do t’i propozohen Kryeministrit Edi Rama për vendimmarrjen përfundimtare.
Sa i përket emrave potencialë, burime bëjnë me dije se një nga kandidatët më të mundshëm për të marrë drejtimin e Policisë së Shtetit është Elidon Çela, aktualisht drejtor i Policisë së Vlorës. Më herët, Çela ka mbajtur edhe postin e drejtorit të AMP Tiranë.
Në garë pritet të përfshihet edhe Neritan Nallbati, i cili ishte kandidat edhe në garën e parë, ku u mund nga Proda. Po ashtu, emra të tjerë që pritet t’i bashkohen procesit janë Gentian Shehaj dhe Vilson Bala. Mbetet për tu parë nëse në garë do të marrë pjesë Skënder Hitaj, një nga personat që shihet me potencial të lartë dhe spirant për të marrë këtë post edhe në tetor të vitit 2014.
Mbetet për t’u parë se cilët do të jenë zyrtarisht kandidatët që do të hyjnë në proces dhe cili prej tyre do të marrë besimin për të drejtuar Policinë e Shtetit në vijim.
