Manovra për SPAK nga ARRSH! Emergjenca për rrugën e shembjes dhe roli i kompanisë A.N.K e Agim Kola
Pas izolimit për disa ditë të juglindjes së vendit dhe torturës të qytetarëve përmes rrugëve alternative, për shkak të gërmimeve të pakontrolluara për korridorin VIII, Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka vendosur të shpërblejë kompaninë përgjegjëse me një tender pa garë.
Më 13 mars, ARRSH shpalli tenderin “Emergjencë – masa parandaluese mbi rrëshqitjen në zonën e quajtur Ligata e Bicit, Dragostunjë”, me vlerë 937 milionë lekë. Sipas dokumentacionit, ndërhyrja synonte kthesën e Dragostunjës për të parandaluar ndonjë shembje të mëtejshme.
Por vetëm gjashtë ditë më vonë, ARRSH shpalli fituese kompaninë “A. N. K.” përmes negocimit të drejtpërdrejtë, pa asnjë njoftim paraprak të kontratës. Ligji parashikon negocim të drejtpërdrejtë vetëm në situata emergjence, të cilat duhet të justifikohen nga institucioni përgjegjës.
Rruga shembet në Dragostunjë, ARRSH shpall Rruga shembet në Dragostunjë, ARRSH shpall
Ironia është se emergjenca tashmë kishte kaluar, pasi segmenti u rihap më 3 mars dhe përfaqësuesit e shtetit njëri pas tjetrit “bekuan” rihapjen e aksit. Megjithatë, ARRSH u kujtua dhjetë ditë më vonë të shpallë tenderin për “masa emergjente” dhe ta japë atë me negocim të drejtpërdrejtë.
Edhe nëse segmenti kërkonte masa emergjente të tjera për të qenë i sigurt për qarkullim, atëherë pse ARRSH nxitoi që ta rihapë dhjetë ditë para se të bënte këtë prokurim? A nuk duhet garantuar siguria e qytetarëve, që më pas të lejohet kalimi?
Megjithatë, kompania “A. N. K.”, e cila fitoi tenderin me ofertën 94% të vlerës së tij, është e njëjta që kryen punimet në këtë zonë për korridorin VIII. Dyshimet janë se gërmimet pa kontroll mund të kenë shkaktuar shembjen e mëparshme. Ndërsa ekspertiza e përfaqësuesve të shtetit ia vuri fajin… motit.
Rezultati? ARRSH nxjerr nga buxheti miliona lekë për të paguar kompaninë, në një kohë kur emergjenca kishte kaluar, qytetarët ishin torturuar në rrugët alternative dhe, në fund, miliona lekë shkojnë për fajet që sipas qeverisë i kishte moti.
Në këtë histori, bllokimin e pësojnë qytetarët, torturat i pësojnë qytetarët dhe faturën e paguajnë qytetarët.
E fituar del kompania në pronësi të Agim Kola, vëllait të ish-deputetit të PS, Ndue Kola, i cili deri para disa kohësh edhe ai ka qenë bashkëpronar. Çuditërisht, kudo ku punon ky subjekt, rrugët pësojnë shembje. Kujtojmë se kjo kompani ishte ajo që ndërtoi edhe aksin Korçë–Ersekë që më pas u shemb. Dhe, ndonëse çedojnë në punime, kjo nuk e ka zbehur besimin e institucioneve gjatë qeverisjes së socialistëve që të përfitojnë shumë tendera publikë.
