Lëmshi në SPAK e Gjykata pas lirimit të Lefter Kokës
“SPAK-u, ose nuk kupton, ose bën sikur nuk kupton!” Me këtë sentencë, Gjykata e Posaçme rrëzoi kundërshtimet e Prokurorisë për lirimin e Lefter Kokës, në dhjetor të vitit të kaluar. Fraza e mbushur me ironi është, ndoshta, e para e këtij lloji, në raportet mes dy institucioneve të “drejtësisë së re” të cilat karakterizohen nga një bashkëpunim i ngushtë, gati-gati idilik.
Ish-Ministri i Mjedisit, Koka, i arrestuar në dhjetor 2021 për “shpërdorim detyre” “pastrim produktesh të veprës penale” dhe “korrupsion” është dënuar me tre vendime jo-përfundimtare për atë që konsiderohet “afera e inceneratorëve të Elbasanit, Fierit dhe Tiranës”.
Në dhjetor të vitit 2025, Gjykata e Posaçme mori në shqyrtim kërkesën e tij për lirim, si pasojë e përfundimit të afateve maksimale të paraburgimit.
Prokuroria e Posaçme e kundërshtoi këtë kërkesë, me argumentin se ajo nuk qëndron procedurialisht. Por, Gjykata e Posaçme e pa situatën shumë ndryshe.
Sipas trupës gjyqësore, Lefter Koka kishte tejkaluar afatet e paraburgimit, bazuar në një intepretim që ka bërë më herët Gjykata e Lartë lidhur me llogaritjen e kohës në qeli, në rastet kur ka mbivendosje të masave të sigurimit dhe dënimeve penale.
Për Gjykatën e Posaçme, SPAK-u nuk ka arritur ta kuptojë si duhet orientimin që ka dhënë Gjykata e Lartë në një vendim të vitit 2024. Dhe, në konkluzon, vendimi lirimin nga burgu të ish-ministrit të Mjedisit.
Prokuroria e Posaçme e ankimoi vendimin. Gjykata e Apelit të Posaçëm, në 26 Shkurt 2026, la në fuqi vendimin për lirimin e Kokës. Ky vendim bazohet në orientimin e Gjykatës së Lartë, një orientim që, sipas trupës së Apelit, gjithësesi, “ngre pikëpyetje për zbatueshmërinë dhe domosdoshmërinë e tij”.

Ndërkohë që Lefter Koka po shijon në liri lokaletnë Tiranë, institucionet e “drejtësisë së re” ende nuk e kanë përcaktuar se cili është shkaku i këtij ndërlikimi procedurial.
Arrestimi dhe dënimi i Lefter Kokës
Lefter Koka u arrestua në 14 dhjetor të vitit 2021, në kuadër të hetimeve të nisura nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për aferën e inceneratorit të Elbasanit. Më tej, ndaj tij u caktuan masa sigurimi “arrest me burg” edhe për “inceneratorin e Fierit” dhe “inceneratorin e Tiranës”.
Ndaj tij u zhvilluan tre procese gjyqësore paralele, të cilat nuk u bashkuan kurrë, megjithëse kishin dinamikë, zhvillim dhe personazhe thuajse të njëjtë.
Në shtator të vitit 2023, Koka u dënua me 6 vjet e 8 muaj burgim edhe për “inceneratorin e Fierit”. Ky rast ëshë ende në shqyrtim, pasi Gjykata e Lartë e ka rikthyer në Apelin e Posaçëm.
Në nëntor 2024, Lefter Koka u dënua nga Apeli i Posaçëm për aferën e inceneratorit të Elbasanit, me 10 vjet burgim. Për shkak të procedurës me gjykim të shkurtuar, ai u dënua me 6 vjet e 8 muaj.

Për “inceneratorin e Tiranës, Koka u dënua me 3 vjet e 4 muaj në Prill të vitit 2025. Edhe ky proces u zhvillua me gjykim të shkurtuar dhe Lefter Koka u dënua përfundimisht me 2 vjet burgim. Në të njëjtën seancë, Gjykata e Posaçme shpalli se Koka e ka shlyer këtë dënim me periudhën e paraburgimit. Ky rast është në shqyrtim në Gjykatën e Apelit të Posaçëm.
Në mënyrë të përmbledhur, përgjatë katër viteve të fundit mbi Lefter Kokën kanë rënduar tre dënime dhe tre masa sigurimi “arrest në burg”.
“Acarimi” i SPAK-ut me Gjykatën e Durrësit
Me një shpërndarje të tillë dënimesh e masa sigurimi, rasti i Lefter Kokës ishte i ndërlikuar.
Në 25 Korrik 2025, Gjykata e Durrësit pranoi kërkesën e tij për “lirim të parakohshëm” për dënimin për “inceneratorin e Elbasanit”.
Sipas Gjykatës së Durrësit, ai kishte shlyer më shumë se tre të katërtat e dënimit, duke i llogaritur qëndrimi në izolim që prej dhjetorit 2021, në total 5 vite e 15 ditë burgim, ndërkohë që i kishin mbetur edhe një vit e 7 muaj e 15 ditë për të vuajtur dënimin.
Megjithëse Koka nuk u lirua në atë kohë, pasi ishte ende nën masë sigurimi “arrest me burg” për “aferën e inceneratorit të Fierit”, vendimi i Gjykatës së Durrësit acaroi Prokurorinë e Posaçme.

Burime konfidenciale të “Boldnews.al” thonë se kreu i asaj kohe i SPAK-ut, Altin Dumani, ka zhvilluar biseda të tensionuara me drejtuesin e Prokurorisë dhe Gjykatës së Durrësit, për qëndrimin që kishin mbajtur këto dy institucione për “lirim para kohe” të Lefter Kokës.
Të njëjtat burime thonë se Dumani, në shenjë reagimi, angazhoi një nga vartësit e tij për të nisur verifikime për ekzistencën e mundshme të korrupsionit në vendimin e Gjykatës së Durrësit. Një verifikim, që, sipas bashkëbiseduesit të redaksisë, duket se nuk arriti asnjë lloj rezultati.
Ironia e GJKKO me SPAK-un
Gjykata e Lartë, në një seri vendimesh, përfshirë edhe më të fundit, në nëntor të vitit 2024, ka orientuar prokuroritë dhe gjykatat më të ulta për mënyrën se si zbatohen masat e sigurimit “arrest me burg” për personat që gjenden në paraburgim për vepra të tjera penale ose janë të dënuar me burgim.
Sipas Gjykatës së Lartë, efektet e masës së re të sigurimit për personat e paraburgosur nisin efektet kur prokuroria nxjerr urdhërin e ekzekutimit dhe se ky urdhër, për të qenë më efektiv, duhet të nxirret në momentin që i mbaron afati masës së vjetër ose dënimi me burgim.
Ndërkohë, siç konstatohet nga vendimet gjyqësore, Prokuroria e Posaçme ka nxjerrë urdhërat e ekzekutimit për masat e sigurimit për Lefter Kokën në kohën që ai ka pasur në fuqi masat e mëparshme të sigurimit. Rrjedhimisht, afati i tyreë ka nisur në momentin e lëshimit të urdhërit të ekzekutimit, pavarësisht se, sipas orientimit të Gjykatës së Lartë, prokurori duhet të urdhëronte zbatimin e saj pasi të kishin mbaruar afatet e masave të mëparshme.

Përballë kësaj situate, Gjykata e Posaçme e shkallës së parë, e cila urdhëroi lirimin e Lefter Kokës në dhjetor 2025, shkruan: “Në rastin objekt gjykimi, gjykata nuk ka për shqyrtim mënyrën e llogaritjes së ditëve të paraburgimit më dënimin përkatës apo disa dënime (sipas nenit 55 dhe 56 të K.Pr.Penale), por ka në shqyrtim një masë sigurimi konkrete, dhe afatet tërësore sipas parashikimeve të neni 263/6 të K.Pr.Penale (gjë që prokuroria ose nuk e kupton ose nuk dëshiron ta kuptojnë në këtë mënyrë)”.
Apeli: Orientimi i Gjykatës së Lartë, i pakuptimtë
Gjykata e Apelit ndan të njëjtin qëndrim si kolegët e shkallës së parë për “mos-kuptimin e SPAK-ut”. Prokuroria e Posaçme e ankimoi lirimin e Lefter Kokës, duke pretenduar se ai duhet të vijojë të qëndrojë ende në qeli.

Sipas trupës gjykuese të Apelit, gjykata e shkallës së parë ka zbatuar drejt orientimin e Gjykatës së Lartë, megjithëse vlerëson se ai orientim “ngre pikëpyetje për zbatueshmërinë dhe dobishmërinë/funksionalitetin e vetë insitutit të masës së sigurimit personal dhe pasojave që do të shkaktonte/sillte në cënimin e një të drjte themelore të personit që është e drejta kushtetuese dhe konventore, sanksionuar respektivisht nga neni 27 i Kushtetutës dhe neni 5 i K.E.D.Nj-së “e drejta për liri dhe siguri”.
Koka, me llogari të pambyllura
Pas rreth 4 muajsh jashtë qelisë, Lefter Koka ende nuk i ka mbyllur llogaritë me drejtësinë. Pak ditë më parë, Gjykata e Apelit të Posaçëm rimorri në shqyrtim rastin e “inceneratorit të Tiranës”.
Prokurori i çështjes kërkoi nga gjykata rihapjen e shqyrtimit gjyqësor pasi, sipas tij, janë siguruar disa prova të reja, të cilat nuk ekzistonin gjatë procesit në shkallën e parë.
Ndërkohë, Koka është në pritje të shqyrtimit gjyqësor në Apel të “inceneratorit të Fierit”, pas rikthimit të rastit për shqyrtim nga Gjykata e Lartë.
