Kush i vodhi fondet e IPARD? Ministresha Frida Krifca përfundon në SPAK
Ish-ministrja e Bujqësisë Frida Krifca ka dhënë dëshmi për disa orë të martën e 18 Marsit në SPAK, për dosjen që po hetohet nga prokurori Klodian Braho mbi abuzimet me fondet e programit të IPARD.
Paraqitja e saj ka ndodhur në orët e pasdites duke i “shpëtuar” vëmendjes së medias. Krifca është pyetur si person në dijeni teksa SPAK, ka intensifikuar hetimet për këtë dosje. Më herët Reni Ashiku, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të ish-ministres Krifca, u paraqit në Prokurorinë e Posaçme për t’u marrë në pyetje. Burime prano organit hetues bëjnë me dije se kjo është një dosje që po hetohet me prioritet dhe paralelisht me marrjen e dëshmive po mblidhen edhe prova të tjera rreth skamës së dyshuar abuzive.
Procedimi nisi pas kallëzimit të Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF), e cila evidentoi shkelje në administrimin e fondeve të destinuara për sektorin bujqësor në Shqipëri.
Si pasojë e rekomandimeve të OLAF, Bashkimi Evropian vendosi të ndërpresë financimin përmes programit IPARD 3, duke bllokuar qindra miliona euro që ishin planifikuar si mbështetje për fermerët shqiptarë.
