Kur do ulen çmimet e apartamenteve? Raporti: Blerja më e vështirë se kudo në europë
Shqiptarët renditen të parët në Europë dhe rajon për vështirësinë e blerjes së një apartamenti në raport me të ardhurat.
Sipas të dhënave të Indeksit të Pronave nga Numbeo, Shqipëria kryeson renditjen mes vendeve europiane dhe të rajonit për treguesin “Price to Income Ratio”, një nga matësit kryesorë që vlerëson raportin mes çmimeve të pasurive të paluajtshme dhe të ardhurave.
Në tabelën krahasuese, Shqipëria renditet në vendin e parë me një indeks 15.1, duke u pozicionuar mbi të gjitha vendet e tjera të përfshira në listë. Ky tregues reflekton nivelin më të lartë të mospërputhjes mes çmimeve të apartamenteve dhe të ardhurave reale të qytetarëve.
Pas Shqipërisë renditet Serbia me indeks 14.8, e ndjekur nga Moldavia me 14.1, Portugalia me 13.9 dhe Kosova me 13.8. Edhe pse diferencat numerike mes vendeve nuk janë shumë të mëdha, renditja tregon se Shqipëria ka raportin më të pafavorshëm mes të ardhurave dhe çmimeve të banesave.
Indeksi “Price to Income Ratio” përdoret për të matur përballueshmërinë e tregut të pasurive të paluajtshme, ku një vlerë më e ulët nënkupton përballueshmëri më të mirë, ndërsa një vlerë më e lartë sinjalizon vështirësi më të mëdha për blerësit.
Të dhënat tregojnë se në Shqipëri, përballë të ardhurave relativisht të ulëta, çmimet e apartamenteve mbeten të larta, duke e bërë blerjen e një banese një proces gjithnjë e më të vështirë për familjet.
Situata reflektohet edhe në tregues të tjerë të indeksit. Sipas tabelës, pagesa e kredisë hipotekore si përqindje e të ardhurave arrin në 124.6 për qind, niveli më i lartë në listë, çka tregon se për shumë familje blerja e një apartamenti përmes kredie është praktikisht e paarritshme.
Në krahasim, vendet e tjera të rajonit shfaqin nivele më të ulëta të këtij treguesi, ndërsa disa vende të Bashkimit Europian, edhe pse me çmime më të larta nominale të pasurive të paluajtshme, kanë përballueshmëri më të mirë falë të ardhurave më të larta.
Sipas renditjes globale të Numbeo, Shqipëria pozicionohet në vendin e 33-të në botë për përballueshmërinë e pronave. Megjithatë, në krahasim rajonal, ajo del qartë si vendi ku raporti mes çmimeve dhe të ardhurave është më i pafavorshëm.
Pas Shqipërisë dhe Serbisë, renditja në rajon vijon me Kosovën, Malin e Zi dhe më pas Bosnje dhe Hercegovinën, e cila shfaqet si vendi ku blerja e një banese është më e lehtë në raport me të ardhurat.
Të dhënat e indeksit tregojnë se rritja e çmimeve të pasurive të paluajtshme, e kombinuar me nivelin e ulët të të ardhurave, po e kthen strehimin në një nga sfidat më të mëdha ekonomike për qytetarët shqiptarë.
