Korrupsion dhe shpërdorim detyre! U mor nga Kastrati, SPAK konfirmon: Po hetojmë privatizimin e ish-bazës ushtarake në Porto Romano
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka konfirmuar se ka regjistruar një procedim penal lidhur me mënyrën e privatizimit dhe përdorimit të ish-bazës ushtarake, konkretisht Ish-Depoja e Minave Detare në Porto Romano.
Sipas përgjigjes zyrtare, bëhet fjalë për procedimin penal nr. 108/2021, i cili ndodhet ende në fazën e hetimeve paraprake. Hetimet po zhvillohen për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë ose i të zgjedhurve vendorë”, të parashikuara nga nenet 248 dhe 260 të Kodit Penal.
Çështja lidhet me përdorimin e një sipërfaqeje prej rreth 52 mijë metrash katrorë tokë, e cila rezulton në pronësi të Forcës Detare. Kjo zonë ndodhet pranë portit tregtar të operuar nga kompania koncesionare e lidhur me Kastrati Group.
Sipas raportimeve, që prej gushtit të vitit 2020, kompania ka nisur zgjerimin e aktivitetit në këtë territor, pavarësisht se ai konsiderohet pronë ushtarake. Një pjesë e godinave të dikurshme të depozitimit të minave detare tashmë janë zhdukur, ndërsa zona është integruar në aktivitetet portuale.
Rasti ka ngritur pikëpyetje mbi ligjshmërinë e përdorimit të kësaj prone publike dhe mbi procedurat e ndjekura për kalimin apo shfrytëzimin e saj nga subjekte private, çështje që tashmë është nën verifikim nga autoritetet e drejtësisë.

