Biznesmeni Lul Morina është paraqitur këtë pasdite në Policinë e Tiranës, pasi gazetari Almer Toska denoncoi publikisht se është kërcënuar prej tij. Sipas Toskës, kërcënimet kanë ardhur përmes disa mesazheve fyese të dërguara në WhatsApp, menjëherë pas publikimit të disa shkrimeve kritike për aktivitetin e Morinës.
Gazetari deklaroi se shkrimet e tij lidhen me marrëdhëniet e dyshuara të biznesmenit me politikanë të ndryshëm, të cilët sipas tij e kanë favorizuar Morinën me leje ndërtimi.
Burime nga policia konfirmojnë se Lul Morina është thirrur për të dhënë sqarime lidhur me arsyet që e shtynë të dërgojë mesazhet kërcënuese ndaj gazetarit. Ai është mbajtur për rreth dy orë në komisariat, ku ka dhënë shpjegime për rastin, por përmbajtja e tyre ende nuk është bërë publike.
Ky zhvillim ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik, pasi lidhet me lirinë e shprehjes dhe sigurinë e gazetarëve në Shqipëri.
