“Ka bërë leke, ka vjedhur me Call Center…”/ Si u mor peng Florian Sula nga Jurgen, Kevin e Hysen Neza
Një ngjarje tronditëse që i ngjan skenarëve të filmave ndodhi në zemër të Tiranë më 31 mars, ku dy vëllezërit Jurgen dhe Kevin Neza, 28 dhe 25 vjeç, dhe djali i xhaxhait, Hysen Neza, 33 vjeç, u bënë protagonistët e një pengmarrjeje të guximshme me synim presionin e marrjes së shumave të mëdha të parave. Të tre morën peng një biznesmen ndërtimi 32-vjeçar, Florian Sula, nga Divjaka. Burime pranë policisë bëjnë me dije se autorët kanë monitoruar me kujdes të gjitha lëvizjet e kryera së fundmi nga biznesmeni Sula, i kthyer rreth 2 muaj më parë në Shqipëri. Përveç aktivitetit në fushën e ndërtimit, Prapaskena shkruan se Sula njihet edhe si bos call centraash, i skeduar për mashtrim me pasoja të rënda, grup kriminal dhe pastrim parash në ndërtim, pjesë e grupit të Amant Josifit.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur pranë zonës së ish-Parkut në Tiranë, ku biznesmeni ishte duke pirë një kafe. Sapo është larguar nga lokali dhe ka shkuar drejt makinës, tre autorët i janë afruar, njëri prej tyre ka qenë me kapele dhe syze, ndërsa 2 vëllezërit me maskë farmacie dhe syze.
Ata u prezantuan si agjentë të BKH-së dhe përmes këtij mashtrimi, e detyruan të hipte në makinë dhe e dërguan në një magazinë në zonën e Xhafzotajt.
Fillimisht i kanë kërkuar shumën prej 2 milionë eurosh, por biznesmeni Sula ka refuzuar duke u thënë se nuk kishte para. Pas refuzimit, e kanë dhunuar fizikisht dhe kanë ulur kërkesën në 1 milion euro. Edhe kjo shumë është kundërshtuar nga biznesmeni, i cili ka deklaruar se nuk disponon para të tilla. Nën presion, autorët kanë zbritur kërkesën në 500 mijë euro. Në këtë pikë, ata e kanë liruar me kushtin që të siguronte shumën e kërkuar.
Sula është mbajtur gjithë natën në magazinë në Xhafzotaj, duke u dhunuar dhe më pas në mëngjes është lënë i lirë, me qëllim që të shkonte të merrte paratë për t’ua dorëzuar. Menjëherë pas lirimit, biznesmeni 32-vjeçar i është drejtuar policisë, ku ka denoncuar me detaje të gjithë ngjarjen, duke i vënë në lëvizje për kapjen e autorëve. Identifikimi është bërë nga kamerat e sigurisë përgjatë zonave ku kanë kaluar pasi gjatë gjithë kohës kanë qenë të maskuar dhe të veshur me të zeza.
“Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, nën drejtimin e Prokurorisë, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës Operacionale dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë, në vijim të kallëzimit të bërë nga një 32-vjeçar, i cili deklaroi se më datë 31.03.2026, tre shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, e kishin marrë me forcë dhe e kishin mbajtur për disa orë në një ambient privat, ku e kishin kanosur dhe ushtruar dhunë fizike ndaj tij, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Hijet”. Në kuadër të operacionit: -u ndaluan shtetasit H. N., 33 vjeç dhe K. N., 25 vjeç; -u shpall në kërkim shtetasi J. N., 28 vjeç, banues në Xhafzotaj. Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, kanë marrë me forcë në automjet 32-vjeçarin, e kanë kanosur dhe ushtruar dhunë ndaj tij, me qëllim përfitimin e një vlerë monetare”, njoftoi Policia.
Pas kallëzimit të biznesmenit, Policia e Tiranës organizoi operacionin “Hijet”, në të cilin u arrestuan njëri prej vëllezërve, Kevin Neza dhe kushëriri, Hysen Neza, ndërsa në kërkim u shpall Jurgen Neza.
