Ja pse nisi Prokuroria hetimet për Rejsi Farma me pronare Merita Sheqin
Prokuroria e Tiranës ka nisur hetime ndaj kompanisë farmaceutike Rejsi Farma, në pronësi të Merita Sheqit, pas dyshimeve për përfitime abuzive nga skema e rimbursimit të barnave dhe për hedhjen në treg të medikamenteve të skaduara.
Hetimi është regjistruar pas një referimi të bërë nga Drejtoria e Hetimit Tatimor, e cila është mbështetur në një raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi veprimtarinë e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor në procesin e rimbursimit të barnave.
Sipas raportit të KLSH, gjatë kontrollit janë identifikuar 18 lloje medikamentesh, në një sasi prej 12.178 copësh, me një vlerë totale rreth 41.9 milionë lekë, për të cilat dyshohet se kishin kaluar afatin e skadencës në disa raste edhe më shumë se një vit. Për këto barna, sipas auditit, nuk rezulton të jetë hartuar asnjë procesverbal apo dokument zyrtar nga autoritetet kompetente për nxjerrjen e tyre jashtë përdorimit.
Raporti thekson gjithashtu se nuk është ndjekur procedura ligjore për asgjësimin e barnave të skaduara. Sipas rregullave, depoja farmaceutike duhet të njoftojë Drejtorinë Rajonale Tatimore përkatëse dhe të marrë miratimin e Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore përpara se të kryejë procedurën e daljes nga përdorimi.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ngriti dyshime se mosrespektimi i këtyre procedurave mund të ketë krijuar hapësirë për përfitime të padrejta nga skema e barnave të rimbursueshme, duke mos i deklaruar saktë barnat e skaduara dhe duke rrezikuar edhe rikthimin e tyre në qarkullim.
Në raport theksohet se mungesa e dokumentimit dhe e procedurave të rregullta për nxjerrjen jashtë përdorimit të barnave krijon rrezik për pasqyrimin real të inventarit të barnave të rimbursueshme, si dhe për nivelin e rimbursimeve të përfituara nga depo importuese.
Sipas gjetjeve të auditit, ekziston edhe rreziku që barna të skaduara të rifuten në treg me qëllim përfitimin nga skema e rimbursimit, duke sjellë pasoja të mundshme për shëndetin e pacientëve që i përdorin.
Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për këtë çështje, ndërsa dosja po hetohet nga prokurori Ndini Tavani.
