Lorenc Shehu ka përfunduar detyrën e tij si i komanduar në krye të Komisariatit të Policisë Rrugore të Tiranës, ku kishte marrë detyrën në muajin prill në vend të Roven Zekës. Ai pritet të caktohet në një pozicion tjetër brenda strukturave të policisë.
Ndërkohë në krye të Rrugores pritet të vendoset një komisar që ka fituar ndër më të mirët në renditjen e garës së mëparshme për shefa Komisariatesh. InfoNews ka emrin e shefit të ri të rrugores por për arsye të respektimit të procesir emri do të bëhet me dije më vonë.
Lorenc Shehu u komandua tek Rrugorja pasi më 22 prill Gjykata e Posaçme caktoi masën arrest me burg për Roven Zekën. Ai akuzohet nga SPAK për veprën penale të korrupsionit. Kujtojmë se Zeka së bashku me dy efektivë tjerë (Sokol Novaku dhe Edison Tabaku) akuzohen se kanë kërkuar dhe marrë pagesën 2 mijë euro nga biznesmeni Erges Vrioni, për të mos i arrestuar bashkëshorten që kishte shkaktuar një aksident më 16 prill.
InfoNews.al ka mësuar ekskluzivisht se Policia e Shtetit do të vijojë me ristrukturimet në shumicën e qarqeve të vendit.
Brenda muajit shtator priten ndryshime të rëndësishme në rang drejtorësh dhe zëvendës Drejtorësh në Departsmente si dhe të policisë, kryesisht në Korçë, Tiranë, Dibër, Vlorë, Gjirokastër e të tjerë.
Lëvizjet do të përfshijnë si drejtorët, ashtu edhe zëvendësdrejtorët, në kuadër të një plani të gjerë për forcimin e rendit dhe sigurisë në të gjithë vendin.
