Dorian Beu, i shpallur në kërkim nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), u arrestua ditën e sotme në Mali i Tomorrit me urdhër të SPAK. Beu është një prej personave të përfshirë në dosjen e trafikut të drogës, ku akuzohet për 356 kg lëndë narkotike (kokainë, heroinë, marijuanë dhe hashash).
Ortakëri në biznes me Gjergj Lucën
Hetimet tregojnë se, përveç lidhjeve me trafikun e drogës, Dorian Beu rezulton aksioner edhe në fushën e peshkimit. Ai zotëron 10% të aksioneve në shoqërinë “Organizata e Menaxhimit të Portit të Peshkimit Durrës – OMPD Shpk”, e regjistruar në QKR në qershor 2020.
Në këtë kompani, Beu është ortak me biznesmenin e njohur Gjergj Luca, si edhe me Syrjan Tolën dhe Qemal Beun, emra të përmendur në të njëjtat hetime për trafik droge dhe kontrabandë.
Porti i Durrësit, qendër e trafikut të kokainës
Prej vitesh, Porti i Durrësit është përfolur si një nga rrugët kryesore të kalimit të kokainës dhe lëndëve narkotike drejt Europës. Autoritetet shqiptare dhe ato italiane kanë dokumentuar disa raste trafiku ku ky port është përdorur nga grupe kriminale.
Lidhjet familjare dhe dosjet penale
• Dorian Beu është kushëriri i Emirjan Beut, një prej drejtuesve të grupit kriminal që u godit nga SPAK dhe autoritetet italiane në dhjetor 2023.
• Grupi drejtohej nga Gernard Beu, Emirjan Beu dhe Braniol Liço, të cilët ishin nën hetim nga SPAK, Prokuroria Italiane dhe EUROJUST.
• Emirjan Beu është vëllai i Florida Beut, e njohur për aferën e korrupsionit me ish-zëvendësministren e Brendshme, Rovena Voda.
Në vitin 2021, Emirjan Beu u arrestua bashkë me prokurorin e Kukësit Edmond Karriqi dhe persona të tjerë, pasi u kapën duke dhënë ryshfet për lehtësimin e masës së sigurisë ndaj disa të rinjve të arrestuar për kanabis. Megjithatë, ai u lirua dhe më pas u largua drejt Italisë.
Arrestimi i Dorian Beut konfirmon edhe një herë lidhjet e forta mes trafikut të drogës, bizneseve në sektorin e peshkimit dhe Portit të Durrësit. SPAK pritet të zbardhë më tej përmasat e aktivitetit të këtij rrjeti kriminal, ku përfshihen emra të njohur të botës së biznesit dhe të drejtësisë shqiptare.
