DENONCIMI/ Gjikuria Sh.P.K shfrytëzoi punëtorët për 5 muaj pa lekë! Inspektorati i punës në gjumë…
Rreth 80 punonjës të firmës Gjikuria kanë ndërprerë punën prej disa ditësh, duke protestuar për mosmarrjen e pagave prej 5 deri në 6 muajsh.
Sipas punonjësve që punojnë në kantierët e zonës Palasë – Dhërmi, situata është bërë e papërballueshme. Ata shprehen se prej muajsh presin një përgjigje konkrete nga kompania, por deri më tani nuk kanë marrë asnjë sqarim zyrtar për vonesat e pagave.
“Kemi kaq kohë në pritje. Disa prej nesh janë 5 muaj pa rrogë, të tjerë 6. Nuk kemi marrë asnjë përgjigje konkrete,” – shprehen punonjësit.
Ata gjithashtu theksojnë se, ndonëse e kuptojnë vështirësinë e institucioneve përballë kompanive të mëdha, presin të paktën një reagim formal nga Inspektoriati Shtetëror i Punës.
“S’kërkojmë asgjë më shumë veçse të zbatohet ligji. Nëse nuk munden të kërkojnë llogari, të paktën të reagojnë, të kthejnë një përgjigje zyrtare,” – shprehen ata.
Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, nuk ka një reagim publik nga kompania apo nga autoritetet përkatëse lidhur me situatën e krijuar.
