Çfarë do të ndodh me hetimin për vrasjen e Gilmando Danit?
Atentati tek rrethrrotullimi i Rinasit, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani, i konsideruar si krahu i djathtë i Emiljano Shullazit dhe agjenti i AMP-së, Muçi Shaljani alias Sheqeri kalon në duar të SPAK.
Prokuroria e Tiranës pas 3 muajsh hetime vendosi të shpallë moskompetencën për hetimin e masakrës dhe ta kalojë në Prokurorinë e Posaçme. Nisur nga të dhënat e siguruara, rezulton se atentati është organizuar nga një grup i strukturuar kriminal. Kjo jo vetëm nisur nga numri i pjesëmarrësve në vrasje, tre qitës, automjetet e përdorura, fakti që u fikën dritat në gjithë zonën, para, pas dhe gjatë ngjarjes, por edhe për shkak të shënjestrës, një ish i dënuar për gjobëvënie.
Pavarësisht se është arritur në konkluzionin se atentati ndaj Danit u organizua dhe realizua nga një grup kriminal, prokurorët nuk kanë mundur të identifikojnë të dyshuarit konkret. Gilmando Dani, i dënuar për gjobëvënie dhe grup kriminal bashkë me Emiljano Shullazin dhe disa të pandehur të tjerë u qëllua për vdekje nga 3 persona, që i prenë rrugën automjetit me të cilin po udhëtonte. Ai sapo ishte kthyer nga Spanja ku kishte udhëtuar në shoqërinë e mikut të tij agjentit të AMP-së Muci Shaljani Sheqeri, i cili u plagos në ngjarje dhe humbi jetën më vonë në spitalin e Traumës.
