Benet Becit kërkon gjykim të shkurtuar, çështja kalon në themel
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë vendosi të martën më 17 mars të kalojë për gjykim në themel çështjen penale në ngarkim të kryetarit të Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, i akuzuar për shkelje të barazisë në tendera gjatë kohës që drejtonte Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare, KESH. Beci dhe gjashtë ish-vartës të tij, përfshirë dhe bashkëshorten e Evis Berberit, ish-drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar që është nën hetim për të tjera vepra penale, akuzohen nga SPAK se favorizuan një kompani private në një prokurim me vlerë 69.5 milionë lekë. Vendimi për kalimin e çështjes për gjykim u mor nga gjyqtarja Marinela Osmani.
Sipas SPAK, të pandehurit kanë shkelur barazinë mes operatorëve në një tender konsulence të zhvilluar nga KESH në vitin 2019 me objekt “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjetik”. Nga hetimet ka rezultuar se i pandehuri Benet Beci…në bashkëpunim me gjashtë vartësit e tij, kanë vepruar në kundërshtim me legjislacionin për prokurimet publike, duke paracaktuar dhe krijuar avantazhe de privilegje të padrejta për shoqërinë fituese të kësaj procedure prokurimi, “Consulting & Management Albania” sh.p.k,”.
Hetimi ndaj Becit dhe ish-vartësve të tij për këtë çështje filloi pas verifikimit dhe analizimit të provave materiale të sekuestruara gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Evis Berberit, i cili edhe ky akuzohet për shkelje të barazisë në tendera e pastrim parash.
