Banorët e zonës pranë Rrugës së OSBE-së në Kamëz kanë ngritur alarmin për një situatë shqetësuese që, sipas tyre, po ua bën jetën të pajetueshme. Sipas denoncimeve të tyre, dhjetëra kamionë të rëndë futen çdo ditë në rrugë dytësore, duke prishur qetësinë publike dhe ndotur ambientin përreth pallateve.
Këta kamionë, që kalojnë me intensitet të lartë rreth 50 brenda vetëm 30 minutash kanë shkaktuar dëmtime të mëdha në infrastrukturë, duke e shkatërruar totalisht rrugën. Banorët shprehen se zhurma, ndotja dhe lëkundjet nga mjetet e rënda po i detyrojnë të largohen nga shtëpitë e tyre, ndërsa institucionet vendore dhe qendrore qëndrojnë në heshtje.
Përballë kësaj situate, komuniteti lokal paralajmëron protesta dhe kërkon ndërhyrje urgjente nga Bashkia e Kamzës dhe Policia e Shtetit. Banorët i bëjnë thirrje autoriteteve që të ndalojnë menjëherë këtë aktivitet të paligjshëm dhe të marrin masa për rikthimin e normalitetit në zonë.
“Rruga OSBE në Kamëz, kamionët e oligarkëve, pas marrëveshjeve me strukturat shtetërore, futen në rrugë dytësore duke prishur qetësinë publike, ndotur pallatet përreth dhe pamundësuar banimin në këtë zonë. Kamionët kanë shkatërruar rrugën. Paralajmërojmë protesta, pasi kalojnë rreth 50 kamionë brenda 30 minutave. Ju lutemi Bashkisë Kamëz dhe Policisë së Shtetit të marrin masa”, shkruhet në mesazhin e mbërritur në redaksinë e JOQ Albania.
