Arrestohet në Dubai kryetrafikanti SHQIPTAR
Ditët e fundit në Dubai, forcat e policisë së Emirateve të Bashkuara Arabe arrestuan një shtetas shqiptar 39-vjeçar në arrati (emrin e nuk e bëjnë publik), i kërkuar që nga viti 2019 dhe i përfshirë në një rrjet të rëndësishëm ndërkombëtar të trafikut të drogës.
Operacioni, i realizuar falë bashkëpunimit ndërkombëtar dhe i koordinuar nga Prokuroria e Përgjithshme pranë Gjykatës së Apelit të Venecias, çoi në kapjen e të dyshuarit, i cili ishte dënuar me 8 vjet e 7 muaj burg për pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike dhe shitjen e drogës. Trafikanti i drogës, tashmë i dënuar përfundimisht në Itali, kishte qenë kreu i një rrjeti kriminal me bazë operative në rajonin e Venetos.
Organizata merrej me importimin e kokainës dhe marijuanës nga Holanda dhe Shqipëria, duke i shpërndarë ato në pikat e shitjes në Venecia dhe qytete të tjera të provincës, si Mestre, Scorzè, Noventa di Piave dhe Jesolo.
Hetimi, i koordinuar nga Prokuroria e Venecias dhe forcat italiane të policisë, bëri të mundur rindërtimin e rolit drejtues të të arratisurit, i cili kujdesej për menaxhimin e kanaleve ndërkombëtare të furnizimit me drogë.
Hetimet u kryen nga Skuadra Mobile e Venecias në bashkëpunim me Shërbimin Qendror Operativ (SCO), falë edhe përdorimit të teknologjive të avancuara për përgjime dhe mbikëqyrje elektronike.
Aktivitetet hetimore mundësuan gjurmimin e lëvizjeve të familjarëve të të arratisurit, të cilët ndodheshin në Itali, duke zbuluar se gjatë periudhës së Krishtlindjeve ata kishin shkuar ta takonin në Dubai, duke përfituar nga një rrjet i gjerë ndihmësish që lehtësonin lëvizjet e tij mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
Operacioni u zhvillua në bashkëpunim me Divizionin Interpol të Shërbimit për Bashkëpunimin Ndërkombëtar Policor (SCIP), i cili siguroi një shkëmbim të vazhdueshëm informacioni me autoritetet e huaja.
Kjo bëri të mundur hartëzimin e vendeve që frekuentonte i arratisuri dhe lokalizimin e tij në Dubai, ku edhe u arrestua./LaPiazza
