Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë për dënimin me 1 vit burg të kryebashkiakut të Rrogozhinës, Edison Memolla, i shpallur fajtor për korrupsion zgjedhor. Memolla kishte ankimuar vendimin e dhënë më herët nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, por Apeli vendosi ta konfirmojë dënimin.
Sipas procedurave ligjore, pas vendimit të formës së prerë, pritet që dënimi me burg të ekzekutohet.
Hetimet ndaj Memollës nisën pas publikimit në media të një audio-përgjimi, ku sipas SPAK dëgjohej ai, në kohën kur ishte kandidat për kryetar bashkie në Rrogozhinë, duke ndikuar te një punonjës i OSHEE-së për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor.
Prokurori i çështjes, Edvin Kondili, gjatë seancave gjyqësore argumentoi se ndërhyrja dyshohet se ishte bërë me qëllim përfitimin e votës së qytetarit në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit 2022.
Përveç dënimit me 1 vit burg, gjykata ka vendosur edhe dënimin plotësues që Memolla të mos mbajë asnjë funksion publik për një periudhë 5-vjeçare.
Vendimi i Apelit konsiderohet një zhvillim i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit zgjedhor dhe pritet të ketë ndikim në skenën politike lokale.
