ANK e Kolajve dhe 2T e Sakove! Shembja Librazhd-Pogradec, ish-prokurori: Dosje për SPAK
Prokuroria e Elbasanit njoftoi se dje se ka filluar me iniciativë të saj hetimet për dëmtimet që kanë sjellë bllokimin tërësor të qarkullimit në aksin rrugor Librazhd-Pogradec. Hetimet nga prokuroria e Elbasanit kanë nisur për veprat penale “Shpërdorim i detyrës”, “Shkelje e barazisë në tendera apo ankande publike”, “Shkatërrimi i rrugës”, “Ndotja e ajrit, ujit apo tokës”. Për këtë qëllim është krijuar një grup hetimor. Rrëshqitja e tokës ka dëmtuar edhe bypassin provizor që pritej të hapej ditën e sotme.
I ftuar në “Studio Live”, ish-prokurori Eugen Beci tha se gjatë hetimeve prokuroria duhet të kryejë ekspertime të pavarura, dhe të mos mjaftohet me përgjigjet dhe referencat e Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Ish-prokurori shtoi se ka gjasa që rasti të merret nën hetim nga Prokuroria e Posaçme.
“Në rast se konstatohen parregullësi dokumentacioni, në krijimin e lejes së ndërtimit, në krijimin e asaj që quhet dhënia e vlerësimit të ndikimit në mjedis, dhe është diçka më lartë se drejtoria e përgjithshme e rrugëve, patjetër që do ndërhyjë SPAK-u në bazë të kompetencës për të parë se cili subjekt ka shkelur ligjin aty, apo jo. Shumë vende të Bashkimit Europian, Prokurorinë për Krimin e Organizuar e ka së bashku me prokuorinë për krimet kundër mjedisit”,- tha Beci.
Situata ka nxjerrë në pah rolin e dy kompanive të përfshira në këtë segment: “ANK” dhe “2T”.
Kompania “2T” shpk ka qenë përgjegjëse për mirëmbajtjen e aksit Librazhd–Hotolisht. Pas rrëshqitjeve të para të ndodhura rreth një muaj më parë, situata kaloi në menaxhim nga kompania “ANK”, e cila po ndërton edhe lotin e katërt të Korridorit VIII, pikërisht segmentin ku ka ndodhur shembja.
“ANK”, në pronësi të vëllezërve Ndue dhe Agim Kola, është shpallur fituese e procedurës “Zgjerimi i rrugës Elbasan–Qafë–Thanë (Faza IV)” me fond limit 23.6 milionë euro.
Ndërsa kompania “2T” shpk, me aksioner kryesor Artan Sako, është shpallur fituese e procedurës “Zgjerimi i rrugës Elbasan–Qafë–Thanë (Faza III)”, me të njëjtin fond limit 23.6 milionë euro, në tenderin e zhvilluar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Në të dy tenderët kanë marrë pjesë nga gjashtë kompani, ku gjysma janë skualifikuar. Në njërin rast ka fituar “2T” me ofertë 21.4 miliardë lekë të vjetra, ndërsa “ANK” ka rezultuar humbëse me ofertë 22.8 miliardë lekë të vjetra. Në tenderin tjetër, “ANK” ka fituar me ofertë rreth 21 miliardë lekë të vjetra, ndërsa “2T” ka paraqitur ofertë 22.8 miliardë lekë të vjetra – saktësisht sa oferta humbëse e “ANK” në procedurën e parë, çka ka ngritur dyshime për koordinim mes tyre.
