Altin Hajri dënohet me burgim të përjetshëm për zhdukjen e Jan Prengës
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë vendosi të martën më 24 mars dënimin me burgim të përjershëm të Altin Hajrit, pronar i kompleksit “Golden” ndodhur në Shijak, i akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës, për shkak të një mosmarrëveshje në trafikun e narkotikëve të vëllait të viktimës. Vendimi u mor nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Erjon Bani, Bib Ndreca dhe Gerd Hoxha, pas një procesi që zgjati për rreth tre vjet.
Hajri u shpall fajtor për veprat penale “Rrëmbim apo mbajtje peng e personit” me pasojë vdekjen, “Mbajtje pa leje e armëve luftarake”, “Fshehja dhe asgjësimi i kufomës”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Jan Prenga u rrëmbye dhe më pas dyshohet të jetë vrarë në janar 2020. Hetimet e prokurorisë e lidhën ngjarjen me kompleksin “Golden” në pronësi të Hajrit, pasi sipas SPAK, viktima u transportua atje pas rrëmbimit në Kamëz.
Për këtë çështje u morën të pandehur edhe Dritan Rexhepi, Gentjan Funiqi, Martin Bleta, Korado Keshteja, Artan Doçaj, Aldo Majnishta, Geraldo Martini dhe Festim Bexhdili. Ky i fundit është dënuar po ashtu me burgim të përjetshëm, ndërsa për të pandehurit e tjerë vijon procesi.
Sipas SPAK, të pandehurit Dritan Rexhepi dhe Gentjan Funiqi (Doçaj), me precedentë penalë në fushën e narkotikëve, në fund të muajit dhjetor 2019 kanë urdhëruar rrëmbimin e viktimës Jan Prenga me banim në Kamëz, pasi vëllai i tij, Astrit Prenga, u kishte vjedhur një sasi kokaine në Portin Portsmouth, Angli, që ju përkiste atyre, e cila ishte importuar nga Ekuadori në Angli.
