Biznes elitar në Golem! Pronari nuk i jep pagesën dhe rreh kamarierin, xhaxhai shkon për t’i vrarë
Golem Kavajë:
Vihen në pranga shtetasit Florian Habilaj dhe Enold Dragoti, si dhe shpallet në kërkim Arbër Habilaj.
Vihet në pranga dhe shtetasi Melison Nela, xhaxhi i 18 vjecarit Genti Nela, kamerieri i lokalit qe u dhunua
Me armë zjarri në automjet, po shkonte për të vrarë personat që kishin dhunuar nipin e tij, falë informacionit të marrë në rrugë operative dhe ndërhyrjes në kohë nga shërbimet e Policisë, parandalohet një ngjarje e rëndë kriminale.
Vihet në pranga 47-vjeçari, i cili u kap me armë zjarri automatik, 3 karikatorë dhe 84 fishekë luftarakë.
Arrestohet djali i pronarit të hotelit dhe një shok i tij, shpallet në kërkim djali tjetër i pronarit, ndërsa procedohet në gjendje të lirë dhëndëri i pronarit, të cilët kishin dhunuar 18-vjeçarin, (kamerier në lokalin e hotelit dhe nipi i 47-vjeçarit)
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë dhe të Stacionit të Policisë Golem, pas marrjes së njoftimit për një konflikt në një hotel në zonën e Malit të Robit, Golem, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.
Nga veprimet e para hetimore rezultoi se shtetasi Florian Habilaj së bashku me shtetasit A. F., Enold Dragoti dhe M. M., kanë dhunuar shtetasin Genti Nela 18 vjeç, kamerier në lokalin e hotelit, për shkak të mosdhënies së pagesës për punën e kryer. 18-vjeçari ndodhet në Spitalin e Kavajës, nën kujdesin e mjekëve.
Gjatë kryerjes së veprimeve, shërbimet e Policisë kanë marrë informacion në rrugë operative se xhaxhai i 18-vjeçarit, shtetasi Melison Nela 47 vjeç, banues në Kavajë, i armatosur me armë zjarri, ishte nisur drejt hotelit, me qëllim vrasjen e personave që kishin dhunuar nipin e tij.
Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë, duke ndaluar në afërsi të hotelit automjetin që drejtohej nga ky shtetas. Gjatë kontrollit të automjetit, në një çantë shpine, shërbimet e Policisë gjetën një armë zjarri automatik, kallashnikov, 3 karikatorë dhe 84 fishekë luftarakë.
Po nga veprimet hetimore rezultoi se vendngjarja ishte pastruar, DVR-ja e kamerave të sigurisë ishte hequr dhe kabllot ishin prerë.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve Florian Habilaj 28 vjeç, dhe Enold Dragoti 20 vjeç, banues në Kavajë; u shpall në kërkim shtetasi A. F., 36 vjeç; u procedua në gjendje të lirë shtetasi M. M., 36 vjeç, banues në Kavajë.
Gjithashtu u bë arrestimi në flagrancë dhe i shtetasit M. N., 47 vjeç, banues në Kavajë.

