5 kg kokainë e heroinë, kapen nga policia Mirand Herri dhe Luftim Hoxha
Mesditën e sotme, falë punës operative të bërë nga ana e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Drejtimi”, gjatë të cilit u parandalua dhe u godit një rast i tentativës për trafikim të drogave të forta, në sasi të konsiderueshme.
Në kuadër të operacionit u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
– Mirand Herri, 51 vjeç, banues në Maminas, Durrës;
– Luftim Hoxha, 41 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Maminas, Durrës.
Nga ana e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve u siguruan informacione në rrugë operative se dy shtetas do të transportonin një sasi të konsiderueshme lënde narkotike në zonën e “Treshit”, në afërsi të Nishtulla 3, në drejtim të Durrësit.
Mbi bazën e këtyre informacioneve, u organizua në një kohë shumë të shkurtër dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Drejtimi”.
Gjatë operacionit, në rrugën “Kastriotët”, është konstatuar automjeti tip “Mercedes-Benz”, me dy shtetasit e dyshuar, të cilët po transportonin lëndën narkotike.
Shërbimet policore të Seksionit për Hetimin e Narkotikëve kanë ndërhyrë dhe kanë ndaluar automjetin e dyshuar.
Gjatë kontrollit të ushtruar në brendësi të automjetit, shërbimet e Policisë kanë evidentuar një çantë, në brendësi të së cilës kishte 7 pako me lëndë të dyshuar narkotike.
Konkretisht, 4 pako me lëndë narkotike të llojit heroinë, me peshë 2 kilogramë e 123.6 gramë, si dhe 3 pako me lëndë narkotike të dyshuar kokainë, me peshë totale 3 kilogramë e 120.6 gramë.
Gjithsej, 5 kilogramë e 244.2 gramë heroinë dhe kokainë.
Menjëherë është bërë shoqërimi i këtyre shtetasve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale, ku ka rezultuar se këta shtetas do ta transportonin lëndën narkotike në drejtim të Durrësit.
Veprimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë, për evidentimin e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale dhe, në këtë kuadër, nuk mund të bëjmë me dije detaje të tjera rreth operacionit.
Ky operacion është në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga strukturat vendore të Policisë Tiranë për goditjen e shitjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike, ku jo më larg se një javë më parë u kapën edhe dy shtetas me 250 gramë kokainë, si dhe gjatë dy javëve të fundit janë finalizuar disa operacione për kapjen e personave në kërkim me rrezikshmëri dhe të atyre që qarkullojnë të armatosur, ku ishin të përfshirë edhe shtetas të huaj.

