1 muaj kaloi, asnjë reagim! A do ulen çmimet tek Vodafone dhe ONE?
Një muaj pas vendimit të Autoritetit të Konkurrencës për vendosjen e një sërë detyrimesh ndaj Vodafone Albania dhe One Albania, dy operatorët celularë nuk kanë bërë publik asnjë qëndrim mbi mënyrën se si do t’i zbatojnë masat e kërkuara.
DOSJA E ZEZË e Vodafone Albania! Nga fiksimi i çmimeve tek konfiskimi i parave të klientëve
Më 25 korrik, Autoriteti i Konkurrencës njoftoi për përfundimin e hetimit të thelluar ndaj Vodafone Albania SHA dhe One Albania SHA në tregun me pakicë të shërbimeve celulare. Komisioni i Konkurrencës, përmes Vendimit nr. 1307, të datës 24 korrik 2026, vendosi një sërë kushtesh dhe detyrimesh për dy operatorët.
Hetimi i Autoritetit evidentoi rritje progresive dhe të ngjashme të çmimeve, ngjashmëri të lartë mes paketave, reduktim të ofertave me çmime më të ulëta, si dhe mangësi në dokumentimin e kostove që justifikonin ndryshimet tarifore.
Vepruan si “kartel” me çmimet e ofertave! Goditet One Albania dhe Vodafone: 90 ditë afat
Mes masave të vendosura është krijimi, brenda 90 ditëve, i paketave të veçanta dhe më të favorshme për pensionistët dhe studentët e moshës 18 deri në 23 vjeç. Operatorët duhet gjithashtu të garantojnë që paketat më ekonomike të jenë të disponueshme edhe në pikat fizike të shitjes dhe jo vetëm përmes aplikacioneve apo kanaleve online.
Vendimi u jep gjithashtu abonentëve të drejtën që, pas përfundimit të kontratës, të kalojnë në një paketë më të lirë pa penalitete apo pengesa të pajustifikuara. Çdo ndryshim në çmim, përmbajtje apo afatin e vlefshmërisë së një pakete duhet t’i komunikohet individualisht abonentit, në mënyrë të qartë dhe të paktën 30 ditë përpara hyrjes në fuqi.
Autoriteti ka përcaktuar edhe detyrimin që çdo rritje çmimi të mbështetet me analiza të dokumentuara të kostove, të cilat operatorët duhet t’i ruajnë për pesë vjet. Ndërkohë, paketat e reja duhet të kenë dallime reale mes tyre dhe të mos kufizojnë zgjedhjen e konsumatorëve. Kontratat standarde do t’i nënshtrohen gjithashtu një vlerësimi paraprak nga Autoriteti i Konkurrencës.
Denar Biba krenohet, por a do i dëgjohet fjala nga One dhe Vodafone?
InfoNews kërkoi një përgjigje, por operatorët nuk reagojnë
Pavarësisht se kanë kaluar rreth një muaj nga publikimi i vendimit, Vodafone Albania dhe One Albania nuk kanë bërë të ditur publikisht se cilat hapa konkrete do të ndërmarrin për zbatimin e detyrimeve të Autoritetit të Konkurrencës.
InfoNews iu drejtua të dy kompanive me kërkesë për informacion mbi mënyrën se si po përgatiten për zbatimin e masave dhe nëse do të merren parasysh detyrimet e përcaktuara nga Autoriteti. Deri në publikimin e këtij lajmi, asnjëra prej kompanive nuk ka dhënë një përgjigje dhe nuk ka konfirmuar nëse masat e kërkuara do të reflektohen në ofertat dhe kontratat e tyre.
Heshtja vjen në një kohë kur afati i përcaktuar nga Autoriteti për disa prej masave është 90 ditë nga hyrja në fuqi e vendimit. Për rrjedhojë, operatorëve u mbeten edhe rreth dy muaj për të realizuar paketat e reja për pensionistët dhe studentët dhe për të përmbushur detyrimet e tjera të vendosura.
Autoriteti i Konkurrencës ka bërë të qartë se zbatimi i masave do të monitorohet për një periudhë njëvjeçare nga hyrja në fuqi e vendimit. Në rast moszbatimi të detyrimeve, Vodafone Albania dhe One Albania përballen me penalitetet e parashikuara nga legjislacioni në fuqi.
Vendimi është pjesë e një procesi që nisi pas ankesave të konsumatorëve dhe monitorimeve të Autoritetit mbi tregun celular. Hetimi paraprak ndaj dy operatorëve ishte hapur në janar 2025, ndërsa në nëntor të po atij viti Komisioni i Konkurrencës vendosi hapjen e procedurës së hetimit të thelluar.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse dy operatorët do të publikojnë në javët në vijim planet konkrete për zbatimin e masave, apo nëse Autoriteti i Konkurrencës do të duhet të ndërhyjë për të verifikuar respektimin e detyrimeve të vendosura.

