Etleva Shkoza (Çoka) merr leje për kulla 30 kate; kush fshihet pas arkitektes me 3 mbiemra?
Arkitektja me tre mbiemra, mori leje nga KKT për kulla 30 kate me kompaninë ERE që deklaronte xhiro 4.1 milionë lekë. Kur policia shembi kompleksin Olive Park në Sauk, emri i saj u fsheh nga lista e të shpallurve në kërkim, sepse lidhej me personazhe të pushtetshëm afër Edi Ramës. Me çfarë parash do të ndërtohen këto objekte?
Etleva Coka Shkoza Dervishi u bë emri më i mbrojtur i Tiranës. Pas vitesh si specialiste në Bashkinë e Tiranës, me lidhje të forta me kupolën drejtuese dhe Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit, kjo grua me tre mbiemra mori leje nga KKT për kulla 30 kate dhe hotele 14 kate, ndërsa kompania e saj deklaronte xhiro 4.1 milionë lekë në vit dhe humbje 24 milionë lekë në tri vite. Kur policia shembi kompleksin Olive Park në Sauk, emri i saj u fsheh nga lista e të shpallurve në kërkim, sepse lidhej me personazhe shumë të pushtetshëm, afër Edi Ramës. Kjo është historia e një batërdie të mirëfilltë, ku lejet e KKT-së shpërndahen si favore për të afërmit e pushtetit.
Lejet e KKT-së, firmosur nga Edi Rama, i dhanë studios me 4 milionë lekë xhiro projekte miliona euro
Tri vendime të KKT-së në vitin 2024, të firmosura nga Edi Rama, i dhanë kompanisë ERE Architecture & Construction leje zhvillimi dhe ndërtimi për projekte që kërkojnë qindra miliona euro. Për projektin në Selitën e Vjetër, një godinë banimi dhe hotel deri 14 kate, u dhanë dy leje. Leja e zhvillimit nr. 12, më 5 prill 2024, dhe leja e ndërtimit nr. 8, më 20 nëntor 2024. Mes dy fazave, parametrat u rritën si me magji. Sipërfaqja u rrit nga 14.887 metra katrorë në 15.836 metra katrorë, intensiteti nga 5.91 në 6.5.

Për projektin në Unazën e Re, rruga Teodor Keko, me ndërtesa deri 30 kate, u dha Vendimi nr. 37, më 25 shtator 2024. Në këtë projekt, ERE del si një nga tre zhvilluesit, bashkë me prestanomen e Mirela Kumbaros, Arben Mucobega i BEGA-07 dhe Alban Bitraj. Projektues në të dy projektet është studio zvicerane Davide Macullo Architects SA. Fleta e Vendimit nr. 37 titullohet leje ndërtimi, ndërsa QKB e quan leje zhvillimi. Ky përdorim i dyfishtë i termave tregon se si lejet shndërrohen në instrumente pazaresh në duart e atyre që kanë mbështetje lart.

Financat e studios së arkitektes me tre mbiemra: 4.1 milionë lekë xhiro, humbje 24 milionë, zero vinça në kantier
Kompania ERE Architecture & Construction sh.p.k., me NIPT L52027186M, u themelua më 26 gusht 2015 me kapital themeltar 100 mijë lekë, sa një biçikletë elektrike e dorës së dytë. Pronare 100 për qind është Etleva Shkoza, e njohur më parë si Etleva Çoka. Xhiroja e kompanisë ka rënë nga 141.8 milionë lekë në 2019 në 4.1 milionë lekë në 2024. Kompania ka humbur tri vite radhazi: 7.5 milionë në 2022, 10.5 milionë në 2023 dhe 6.3 milionë në 2024. Në 2025 u kthye në fitim 9.18 milionë lekë, por ky fitim është qesharak përballë projekteve të KKT-së.
Shpenzimet e personelit e tradhtojnë natyrën e saj: 3.6 milionë pagat në 2019, 4.25 milionë në 2020, 7.67 milionë në 2021, 10.63 milionë në 2022. Kjo është një studio me pak punonjës, jo një ndërtues. Një ndërtues i vërtetë me xhiro 140 milionë do të kishte kosto lëndësh dhe nënkontraktorësh shumëfish më të mëdha. ERE ka zero kosto lëndësh, zero nënkontraktorë, zero vinça në kantier. Me pak fjalë; një studio projektimi që merr leje për ndërtime miliona euro, por që e ka zanatin te pazaret, jo te betoni.
Kush fshihet pas tre mbiemrave
Sipas informacioneve, Etleva Çoka (Shkoza), lindur më 20 shtator 1980 në Përmet, është bashkëshortja e Dritan Dervishit, lindur më 10 shkurt 1972 në Përmet. Në vitin 2022 ajo ndryshoi mbiemrin nga Çoka në Shkoza. Kështu lindi ironia me të cilën Pamfleti e quan arkitekten me tre mbiemra. Kjo grua me tre identitete mbart në vetvete lidhjet me pushtetin vendor dhe qendror. Ajo shfaqet në dokumentet e bashkisë si “specialiste”, në vendimet e KKT-së si zhvilluese dhe në dosjet e IMT-së si emër i njohur. Etleva Coka Shkoza (Dervishi) konsiderohej specialiste në Bashkinë e Tiranës, me lidhje të forta me kupolën drejtuese dhe Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit. Emri i saj lidhet me “punë” të shumta të kryera në bashkëpunim me IMT-në e bashkisë dhe struktura të tjera drejtuese. Ajo njeh rrugën nga zyrat e bashkisë te firmat e larta të KKT-së. Personazhe shumë të pushtetshëm, afër Edi Ramës, e mbajnë këtë emër larg listave publike dhe e kthejnë në një lidhje të heshtur të kupolës.
Akuzat e Berishës dhe heshtja e SPAK
Më 24 korrik 2025, Sali Berisha e futi ERE-n në listën e kompanive që sipas tij ndërtojnë me para droge. Berisha përmendi objektin te Teodor Keko. Berisha u shpreh se pronarja është specialiste e nivelit të lartë në bashki dhe se bashkëshorti i saj është i proceduar për trafik narkotikësh. Këto mbeten akuza, por shtojnë hije mbi një figurë që tashmë është në qendër të hetimeve për “Olive Park” dhe lejet e KKT për kulla që do t’i ndërtojë ajo vetë.
Olive Park, shembja e 3 vilave pa leje dhe emri i “arkitektes”, i fshehur nga dosja
Olive Park është kapitulli më i nxehtë i kësaj batërdie. Një kompleks vilash dhe apartamentesh në Sauk mbi një truall prej 29.455 metra katrorë, ku ERE del si grup projektimi. Subjekti ligjor që zhvillon dhe shet mbetet i fshehtë, ndërsa vilat shiten deri në 800 mijë euro. Kjo është batërdia: shitje milionëshe përballë 4.1 milionë lekë xhiro të deklaruar. Objekti u kontestua ashpër për shkelje lejesh. U sekuestrua më 4 nëntor 2025 dhe u shemb me shpërthim të kontrolluar më 7 nëntor 2025, në aksionin e drejtuar nga ministrja Albana Koçiu dhe drejtori i policisë Ilir Proda. U përfshinë 14 persona. U arrestuan pesë inspektorë të IMT-së dhe u shpallën në kërkim zhvilluesit.Emri i arkitektes së projektit u fsheh nga lista e të shpallurve në kërkim. Sipas informacioneve të Pamfletit, emri i Etleva Coka Shkoza Dervishi u hoq nga lista, sepse ajo lidhet me disa personazhe shumë të pushtetshëm dhe afër Edi Ramës.
Më 5 nëntor 2025, Policia e Shtetit njoftoi arrestimin e pesë inspektorëve të IMT-së: Gjergji Male (i njohur për bëmat e tij në IMT dhe si investitor në disa projekte), Krenar Rexhepi, Aldo Dubi, Odise Cenaj dhe Endri Dervishi.
Zhvillues i Olive Park ishte Austria Construction Albania, me pronare Elga Kosta dhe administrator Stavro Suloti. Ndërtues ishte LANI sh.p.k., ndërsa pronarë të truallit ishin Vladimir Kosta, ish-deputet i PS, bashkë me Dhurata Bogdani, Shpëtim Gjuzi dhe Enver Gjuzi. Leja e ndërtimit u dha më 23 prill 2021 nga Bashkia Tiranë me firmë të Erion Veliajt, me taksë ndikimi 130.3 milionë lekë. Kjo është zanati i vjetër i Tiranës: lejet jepen me firmë të lartë, ndërsa përgjegjësia shpërndahet tek inspektorët e vegjël.

Pyetja që mbetet: me çfarë parash do të ndërtohen këto objekte?
Një studio me xhiro 4.1 milionë lekë, kapital 100 mijë lekë dhe humbje të njëpasnjëshme ka aftësinë financiare të një qilari, jo të një kulle 30 katëshe. Në Tiranën e lejeve të KKT-së, xhiroja është zero kriter, lidhjet me kupolën e pushtetit janë gjithçka. Arkitektja me tre mbiemra i njeh mirë rrugët e pushtetit. Emri i saj qëndron i lidhur me njerëz afër Ramës, me Bashkinë e Tiranës dhe me IMT-në. Për këtë arsye, në dosjen e Olive Park, ajo u fsheh nga lista e të shpallurve në kërkim, ndërsa të tjerët u arrestuan. Kjo është batërdia e vërtetë: mbrojtja e atyre që marrin lejet, jo lejet vetë. /Pamfleti
