Një nga plazhet më të egra dhe më të paprekura të bregdetit shqiptar rrezikon të humbasë identitetin që e bëri të famshëm. Bashkia e Himarës me në krye Vangjel Tavon ka hapur një tender me vlerë 20.8 milionë lekë pa TVSH për ndërtimin e shkallëve në Gjirin e Filikurit, një projekt që ngre pikëpyetje të forta mbi pasojat mjedisore dhe turistike.
Filikuri nuk është një plazh i zakonshëm. Për vite me radhë ai ka mbetur jashtë turizmit masiv pikërisht sepse nuk ishte i lehtë për t’u aksesuar. Terreni i vështirë, shkëmbinjtë e pjerrët dhe mungesa e infrastrukturës kanë shërbyer si barriera natyrore që e kanë mbrojtur nga mbipopullimi, ndotja dhe ndërhyrjet agresive.
Por tani kjo mund të ndryshojë me bekimin e kryebashkiakut.
Sipas dokumenteve të tenderit, nuk bëhet fjalë për disa shkallë të thjeshta druri apo një shteg ekologjik. Projekti parashikon gërmime në shkëmb, mure mbajtëse, betonarme, kangjella metalike dhe ndriçim LED përgjatë gjithë aksit. Me pak fjalë, një ndërhyrje e plotë infrastrukturore në një zonë që deri më sot ka mbetur thuajse e paprekur.
