Do e drogojmë të gjithë Eropën…/ Bisedat mes Shpëtim Aliut dhe Sokol Bibajt
Detaje të reja kanë dalë nga hetimet ndaj organizatës kriminale të drejtuar nga Salvatore, i njohur edhe si Shpëtim Aliu, e cila dyshohet se furnizonte me kokainë disa grupe kriminale që vepronin në Europë.
Sipas hetimeve, një nga grupet e furnizuara drejtohej nga Sokol Bibaj, ndaj të cilit SPAK ka lëshuar urdhër arresti. Prokuroria dyshon se Bibaj ka pasur rolin e porositësit në disa operacione të mëdha të trafikut ndërkombëtar të drogës.
Hetuesit kanë dokumentuar përfshirjen e tij në një ngarkesë prej 4.1 tonë kokainë, e sekuestruar më 16 dhjetor 2020 në portin e Roterdamit, në Holandë. Sipas dosjes, droga ishte nisur nga rrjeti i drejtuar nga Shpëtim Aliu dhe porositur nga Bibaj.
Po ashtu, Bibaj dyshohet të ketë qenë i përfshirë edhe në trafikimin e një sasie prej 1 ton e 50 kilogramësh kokainë, e bllokuar në Kolumbi më 3 shkurt 2021. Edhe në këtë rast, sipas hetuesve, ai kishte rolin e porositësit të ngarkesës.
Sipas SPAK, Sokol Bibaj identifikohet si një nga klientët kryesorë të organizatës së Aliut, e cila siguronte transportimin e ngarkesave të kokainës nga Ekuadori drejt vendeve europiane.
Në dosje përfshihen edhe komunikime të datës 30 tetor 2020 mes Shpëtim Aliut dhe Sokol Bibajt. Në këto biseda, dy personat diskutojnë mbi aktivitetin e tyre në trafikun e drogës dhe kapacitetet që zotërojnë.
Sipas hetuesve, Aliu shprehet se aktualisht ndodhet në një pozicion të favorshëm dhe se arrin të dërgojë nga një deri në dy tonë kokainë çdo javë. Ndërsa Bibaj pretendon se aktiviteti i tij arrin deri në tetë tonë në javë.
Në një tjetër komunikim, të dy shprehen se me sasitë e mëdha të drogës që po trafikojnë “do ta drogojnë Europën”, duke treguar, sipas hetuesve, përmasat e aktivitetit kriminal që zhvillonin.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se Sokol Bibaj dhe vëllezërit e tij dyshohet se kanë investuar të ardhurat e përfituara nga trafiku i kokainës në sektorin e ndërtimit në Shqipëri, me qëllim pastrimin e parave.
Sipas SPAK, organizata e drejtuar nga Shpëtim Aliu furnizonte me kokainë edhe grupe të tjera kriminale, mes tyre ato që dyshohet se drejtoheshin nga Eldi Dizdari, Dritan Gjika dhe Armando Pacani.
Në kuadër të këtij operacioni, SPAK ka lëshuar gjithsej 10 urdhër-arreste dhe ka sekuestruar pasuri me vlerë rreth 150 milionë euro.
