EKSKLUZIVE/ Përgjimet e SPAK! Pazaret në Green Coast: Samir Mane do 3 milion euro…
Përgjime dhe komunikime të përfshira në një dosje hetimore ku SPAK goditi një grup kriminal me 20 persona të përfshirë hedhin dritë mbi një marrëveshje të dyshuar që lidhet me përfshirjen e tokës së Alfredo Hamzait në kompleksin rezidencial “Green Coast” shkruan InfoNews.
Sipas materialeve hetimore, në shkurt të vitit 2021 është diskutuar pagesa e një shume prej 2 deri në 3 milionë euro, e cila, sipas dyshimeve të hetuesve, do të shërbente për sigurimin e lejes së ndërtimit për projektin rezidencial. Në komunikime përmendet biznesmeni Samir Mane, ndërsa si ndërmjetës i mundshëm identifikohet Ilir Shtufi.
Në një bisedë të datës 24 shkurt 2021, Artur Koçeku i komunikon Alfredo Hamzait se pas kontakteve me Ilir Shtufin dhe Samir Manen, këtij të fundit i kërkohej një shumë prej 3 milionë eurosh për përfshirjen e tokës në kompleks.
Sipas analizës së bisedave të datës 27 shkurt 2021, palët dyshohet se kanë rënë dakord për pagesën e shumës së kërkuar. Dokumenti hetimor ngre dyshime se një pagesë paraprake prej rreth 1 milion eurosh mund të jetë kryer tashmë.
Materialet e dosjes sugjerojnë gjithashtu se marrëveshja parashikonte ndërtimin e 40 vilave, ku 20% e tyre do t’i përkisnin Alfredo Hamzait. Ndërkohë, Artur Koçeku shprehet se ka kërkuar një hotel me 120 dhoma, i cili do të ishte në pronësi të tij dhe të Hamzait.
Autoritetet vijojnë hetimet për të verifikuar vërtetësinë e këtyre komunikimeve dhe përgjegjësitë e mundshme të personave të përmendur.
Pjesë nga Dosja e SPAK:
Në bisedën e datës 18.02.2021, evidentohet fakti se bashkëbiseduesit komunikojnë lidhur me mundësinë e dhënies së një vlere parash që varion nga 2 deri në 3 milionë euro shtetasit Samir Mane, me qëllim nxjerrjen nga ky i fundit të lejes së ndërtimit për projektin rezidencial në pronën e personit nën hetim Alfredo Hamzai. Sipas komunikimit, shtetasit kanë planifikuar ndërtimin e rreth 30 vilave dhe një hoteli. Ndërmjetës në këtë komunikim me shtetasin Samir Mane dyshohet të jetë shtetasi Ilir Shtufi.
Në bisedën e datës 24.02.2021, personi nën hetim Artur Koçeku i shkruan personit nën hetim Alfredo Hamzai se ka folur me Lirin (Ilir Shtufi) me Zamirin (Samir Mane) dhe ky i fundit i ka thënë se do tre milionë euro që ta përfshijë tokën e Alfredo Hamzait në kompleks.
Në bisedën e datës 27.02.2021, evidentohet fakti se shtetasit kanë vendosur të zgjedhin opsionin e dhënies së tre milionë eurove shtetasit Samir Mane për përfshirjen e tokës së Alfredo Hamzait në kompleksin Green Coast. Nisur nga fakti se personi nën hetim Artur Koçeku shprehet se “mund të na kërkojë i mili cash fjera shpija zamiri”, dyshohet se tashmë këtij të fundit i është dhënë një shumë parash, që dyshohet se mund të jetë 1 milion euro. Nga analiza e bisedës arrihet në përfundimin se marrëveshja me Samir Mane është që ky i fundit të marrë pagesën prej tre milionë euro dhe të kryejë ndërtimin e 40 vilave, nga të cilat 20% do t’i jepen personit nën hetim Alfredo Hamzai. Sa i përket hotelit, Artur Koçeku shprehet se e ka kërkuar hotelin me 120 dhoma dhe do jetë i këtij të fundit dhe Hamzait.

2 Komente
Pingback: Ka marrë 1 milion euro cash...2 të tjera më vonë! përgjimet e SPAK të grupit kriminal për Samir Mane
Pingback: Përgjimet e SPAK! Pazaret me "kokat e drogës" në Green Coast: Samir Mane do 3 milion euro… - Gazeta Korrieri