Arsenal armësh në makinë gati për shitje e qitje, kush u arrestua në Tiranë
Katër persona janë arrestuar në Tiranë në kuadër të një operacioni policor kundër trafikimit dhe shitjes së armëve të zjarrit, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim.
Në pranga kanë rënë Marsel Varka, Elsaed Maqinaj, Fabian Zakodhe dhe Kristaq Biba, ndërsa Kevin Vila dhe Bledar Avdillari vijojnë të kërkohen nga policia.
Gjatë operacionit, forcat e rendit sekuestruan 4 pistoleta, 3 armë automatike, municion luftarak dhe sende të tjera që lidhen me veprimtarinë kriminale.
Aksioni është monitoruar dhe dokumentuar edhe nga ajri me dron, ndërsa pamjet e publikuara nga policia tregojnë momentet e arrestimit të të dyshuarve.
Sipas hetimeve, gjashtë personat janë kapur në flagrancë përmes blerjeve të stimuluara, një metodë e përdorur për të provuar veprimtarinë e paligjshme. Nga verifikimet rezulton se ata ishin pjesë e dy grupeve kriminale që merreshin me shitjen e armëve të zjarrit.
