A kanë përgjegjësi instancat shtetërore për zhdukjen e verës kontrabandë në vilën e Ergys Agasit?
Përgjigjja është e drejtpërdrejtë, pa ekuivoke dhe pa nevojë për alibi ligjore: po.
Përgjegjësia institucionale nis që nga Prokuroria. Pas inventarizimit të kryer nga punonjësit e Doganave, ai kishte detyrimin ligjor të firmoste urdhrin e sekuestrimit dhe të garantonte ruajtjen e provës materiale. Në vend të kësaj, shteti shqiptar zgjodhi modelin më primitiv të hetimit: shpalli në kërkim kushëririn e Ergys Agasit dhe u tërhoq, duke lënë pa asnjë masë sigurie miliona euro verë kontrabandë në pronën e një prej personave më të kërkuar të shtetit shqiptar.
Mallrat e sekuestruara u lanë pa mbrojtje reale, në një ambient me kamera sigurie aktive, por pa kontroll shtetëror efektiv. Kjo nuk është më thjesht papërgjegjshmëri institucionale. Kjo është bashkëpunim faktik me krimin. Është momenti kur shteti nuk dështon, por zgjedh të mos ekzistojë.
Roli dhe përgjegjësia e Doganave
Së dyti, përgjegjësia bie mbi Doganat Shqiptare, institucioni që, sipas ligjit, duhet të ruajë mallin e sekuestruar me çdo mjet, përfshirë edhe bashkëpunimin me Policinë e Shtetit. Nëse vera kontrabandë u zhduk, atëherë dikush e la të zhdukej.
Drejtori i Doganave, Gent Gazheli, ose duhet të dalë publikisht dhe të shpjegojë minutë pas minute se çfarë ndodhi natën kur u zhduk një mall me vlerë disa milionë euro, ose duhet të japë dorëheqjen, t’i dorëzohet drejtësisë dhe të rrëfejë jo vetëm këtë rast, por ndoshta edhe episode të tjera që shkojnë përtej kësaj ngjarjeje dhe përtej emrit të Agasit.
Një zinxhir institucional që prodhon alibi
Në këtë histori nuk kemi të bëjmë me një grabitje misterioze. Kemi të bëjmë me një zinxhir institucional që funksionon vetëm për të prodhuar alibi ligjore dhe politike.
Instancat e shtetit shqiptar, përpara se të shpallin në kërkim Eno Agasin, duhet të mbajnë përgjegjësi për dështimin e tyre. Është absurde të kërkosh dikë për kontrabandë, ndërkohë që kontrabanda zhduket nga duart e shtetit.
Po, Eno Agasi duhet të arrestohet për mall kontrabandë dhe për dyshime serioze për veprimtari kriminale, por kjo nuk e shpëton shtetin nga faji i vet institucional.
Zhdukja e verës, simbol i shkërmoqjes së shtetit
Zhdukja e verës kontrabandë nuk është një episod periferik. Ajo është prova e shkërmoqjes së shtetit shqiptar, e një sistemi ku përgjegjësia është gjithmonë “jetime”, ku provat zhduken më shpejt se urdhrat e sekuestrimit, dhe ku institucionet veprojnë vetëm pasi dëmi është konsumuar.
