1 mon euro për kokën e tij, nga atentatet te armiqësitë me ish deputetin dhe Vis Martinaj/ Kush është Durim Bami
Një nga personat më të shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare, Durim Bami, pritet të ekstradohet këtë të enjte nga Dubai në Shqipëri.
Bami ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal”.
Ai akuzohet se kishte kërkuar eliminimin e ish-deputetit socialist Arben Ndoka, ndërsa edhe ky i fundit dhe anëtarë të tjerë të grupeve kriminale e donin Bamin të vdekur. Ervis Martinaj kishte ofruar 1 milion euro për eliminimin e tij.
Ndërsa në shkurt 2021, Bami bashkë me Endrit Doklen dhe Marklen Hakën planifikoi vrasjen e Tori Xhecukës dhe Erigers Mihasit, mik i Ervis Martinaj i cili u vra në Tiranë.
Sipas SPAK, Durim Bami drejtonte e financonte një grup që kultivonte kanabis në Nikël dhe Bubq gjatë dhjetor 2019–korrik 2020 dhe sërish në shtator 2020, duke administruar të gjithë aktivitetin. Në ndihmë i vinte ish-efektivi i RENEA-s, Altin Morina (i arrestuar) dhe persona të tjerë të paidentifikuar, që jepnin informacione të brendshme dhe shmangnin kontrollet policore.
Por sa atentateve u ka shpëtuar Durim Bami?
Në 2015 Bamit i kanë vendosur eksploziv në makinën e tij tip “BMË X5″ me targa AA 858 IS, por nuk pati lëndime. Në 3 mars të 2015 ai është arrestuar nga Policia pas akuzave të Tom Doshit, se ish-kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, kishte porositur një atentat për ta ekzekutuar atë përmes Durim Bamit, kundrejt pagesës 500 mijë euro. Bami u kap në tentativë për t’u larguar drejt Malit të Zi. Më 4 korrik të 2018 ai u lirua nga Gjykata, pasi kjo e fundit e dënoi me 1 vit burg, por që dënimin ta kryente në “shërbim prove”. Po kështu i shumëkërkuari ka qenë i dyshuar në vitin 2004 për një tentativë vrasjeje. Ai është dyshuar për vrasjen e Erzen H. dhe Hasan K. Gjithashtu Durim Bami rezulton si personi i fundit që ka takuar shtetasin Enver Stafukën. Më herët ai është dënuar me 4 vjet burg për veprën penale të pengmarrjes. Bami u ndalua edhe në shtator të 2018 nga një operacion i RENE-as në Nikël pas informacioneve se në banesat e të fortëve në këtë zonë kishte armë, drogë dhe sasi eksplozivi.
Rivalët ishin bërë bashkë për ta eleminuar…
Të gjithë ishin bërë bashkë për ta vrarë, por Durim Bami ishte objektiv i vështirë për t’u eliminuar, edhe pse për kokën e tij rivalët vendosën 1 milionë euro ata nuk ja arritën qëllimit.
Teksa sipas edhe dosjes dhe operacionit ‘’Revansh’’ ku Ervis Martinaj, Arben Ndoka apo Avdylajt e Shijakut donin doemos ta zhduknin, 45-vjeçari ishte shpallur në kërkim dhe ndaj tij u vendos masa “arrest me burg” në mungesë për vrasje dhe tentativën për vrasje të 3 personave, mes tyre edhe vetë ish-deputetin socialist Arben Ndoka. Por liria e të fortit të Niklës nuk zgjati shumë pasi është në akuzë në dosjen “Revanshi” për 4 vepra penale, nga sigurimi i kushteve për vrasje deri tek grup i strukturuar kriminal, kultivim droge dhe kryerje të veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal. Durim Bami, bashkë me Endrit Doklen, Marklen Hakën dhe Xhelal Rrajën, do vrisnin Arben Ndokën. Detyra e tij do të ishte sigurimi i informacioneve për lokalizimin e ish-deputetit dhe të njoftonte të tjerët. Ndërkohë, për vrasjen e Tori Xhecukës dhe Erigers Mihasit, 45-vjeçari ka pasur rol kryesor të organizatorit. Bashkë me ish-policin Altin Morina ai akuzohet për kultivim narkotikësh në zonën e Krujës.
